Bregu Perëndimor, kolonët e paligjshëm izraelitë rrahën bariun palestinez dhe ia vodhën 300 dele

Sulmi ndodhi në Kafr Malik, një fshat në lindje të Ramallahut. Bariu palestinez, Khaled Ghara tha për Anadolu se disa kolonë të paligjshëm e rrahën teksa po kulloste kopenë e tij

Kolonët e paligjshëm izraelitë sulmuan sot një bari palestinez dhe vodhën kopenë e tij prej 300 delesh në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.

Sulmi ndodhi në Kafr Malik, një fshat në lindje të Ramallahut. Bariu palestinez, Khaled Ghara tha për Anadolu se disa kolonë të paligjshëm e rrahën teksa po kulloste kopenë e tij.

Ghara u dërgua më vonë në spital me mavijosje dhe lëndime të tjera trupore. Ai tha se kolonët e paligjshëm i vodhën 300 delet e tij para se të largoheshin nga zona.

Sulmet nga kolonët e paligjshëm izraelitë ndaj fermerëve dhe barinjve palestinezë janë në rritje në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, duke synuar dëbimin e fshatarëve nga tokat e tyre.

Komisioni Palestinez Kundër Murit dhe Vendbanimeve regjistroi 1.201 sulme nga forcat e ushtrisë izraelite dhe kolonët e paligjshëm vetëm në korrik, përfshirë 466 sulme nga kolonët.

Që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës në tetor 2023, të paktën 1.016 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 7.000 janë plagosur në Bregun Perëndimor të pushtuar nga forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Në një vendim historik korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli. Ajo kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Kategoritë
BotaLajme