Borrell: Ne nuk kemi frikë nga e vërteta rreth Nord Stream

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka paralajmëruar të gjitha palët që të mos nxjerrin përfundime arbitrare me rastin e botimit të gazetës amerikane New York Times sipas të cilës zyrtarët amerikanë, pasi kanë shqyrtuar informacionin në duart e tyre, raportojnë se një organizatë pro-ukrainase ishte përgjegjëse për sulmet në tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe 2.

“Nuk kam frikë nga e vërteta. Çdo të vërtetë. Por ne po flasim për spekulime”, u tha Borrell gazetarëve pas takimit që pati me ministrat e mbrojtjes të vendeve të BE-së në Stokholm.

Ai kujtoi gjithashtu se hetimet për këtë rast vazhdojnë në Suedi, Danimarkë dhe Gjermani.

“Për sa kohë që hetimet vazhdojnë, nuk mund të nxjerrim konkluzione përfundimtare. Më duhet të pres derisa të kemi një kuptim të qartë të asaj që ka ndodhur”, shtoi ai.

Të njëjtin mendim ka shprehur edhe ministri i Mbrojtjes i Suedisë.

“Ndërsa procesi hetimor vazhdon, nuk dua të nxjerr asnjë përfundim. Dua të pres derisa të përfundojë hetimi”, tha ai.

Borrell tha gjithashtu se ai propozoi që vendet e BE të shpenzojnë 1 miliard euro për një blerje të përbashkët municionesh për Ukrainën, si dhe për të rimbushur rezervat e tyre.

Kategoritë
BotaLajme