– Sekretari i Përgjithshëm i GCC-së ka kërkuar veprime urgjente ndërkombëtare për t’i dhënë fund rrethimit të Gazës dhe për të lehtësuar qasjen në ndihma
Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) ka dënuar bllokadën e vazhdueshme të Izraelit ndaj Rripit të Gazës dhe parandalimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare, me sekretarin e përgjithshëm të bllokut që e ka përshkruar politikën e urisë nga Tel Avivi si “krimin e shekullit”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i GCC-së, Jassem Al-Budaiwi, e ka mbajtur Izraelin plotësisht përgjegjës për përkeqësimin e katastrofës humanitare në Gaza, duke paralajmëruar se politika e qëllimshme e urisë kolektive përbën një krim të plotë lufte që kërkon llogaridhënie urgjente ndërkombëtare.
Al-Budaiwi ka thënë se rrethimi izraelit dhe mohimi i ndihmës kanë çuar në përhapjen e urisë dhe kolapsin e sistemeve shëndetësore dhe ushqimore në Gaza, duke paralajmëruar se territori palestinez po përballet me “një katastrofë humanitare me shkallë të paparë”.
Ai i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të veprojë menjëherë dhe pa kushte për të ndaluar rrethimin, për të siguruar hyrjen e shpejtë dhe të papenguar të ushqimit dhe furnizimeve mjekësore dhe për të parandaluar mizori të mëtejshme kundër popullit palestinez.
“Kjo bllokadë brutale sfidon të gjitha normat ndërkombëtare humanitare, shkel Konventat e Gjenevës dhe minon vlerat dhe parimet e të drejtave të njeriut”, ka thënë al-Budaiwi, duke paralajmëruar se situata në Gaza “tejkalon të gjitha pragjet e sjelljes humanitare”.
GCC-ja u ka bërë thirrje gjithashtu të gjitha organeve dhe organizatave ndërkombëtare të marrin masa serioze për të ndaluar vrasjet, për të hequr rrethimin dhe për të parandaluar vdekje të mëtejshme nga uria. Ajo ka përsëritur nevojën për të rihapur kalimet kufitare pa vonesë dhe për të shpëtuar jetën e civilëve të pafajshëm.
Al-Budaiwi ka riafirmuar mbështetjen e GCC-së për të drejtat legjitime të popullit palestinez, duke përfshirë të drejtën për jetë, liri dhe vetëvendosje kombëtare, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe Iniciativën Arabe për Paqe, e cila i ofron Izraelit njohje të plotë në këmbim të tërheqjes nga tokat arabe.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 59.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi dhe përhapje të sëmundjeve.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.