Blinken nuk u prit nga asnjë zyrtar i lartë turk në aeroportin e Ankarasë

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Antony Blinken mbërriti në Ankara mëngjesin e sotëm, por Turqia nuk dërgoi asnjë zyrtar të lartë për ta pritur në aeroport.

Blinken mbërriti në Turqi për të zhvilluar takime me ministrin e Jashtëm Hakan Fidan lidhur me luftën në Gaza.

Megjithatë, sipas mediave turke, derisa avioni me Blinken po ateronte në aeroportin Esenboga, asnjë zyrtar i lartë turk nuk shkoi të takonte sekretarin amerikan. Kjo është hera e parë që Turqia e priti sekretarin amerikan pa një zyrtar të lartë.

Delegacioni mikpritës i Blinken përfshinte ambasadorin e SHBA-së në Ankara, Jeffry Flake, Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme për Çështjet Politike Dypalëshe për Amerikën, ambasadorin Yaprak Balkan dhe zëvendësguvernatorin e Ankarasë Namık Kemal Nazlı.

Nga ana tjetër, qytetarët varën postera me një foto të Abu Ubeyde, zëdhënësit të Brigadave Izzeddin Al Qassam të lidhur me Hamasin. Fotoja ndodhet në një urë në rrugën e caktuar për të shkuar në rajonin ku Blinken do të takohet me Hakan Fidan në Ankara, ndaj është e pashmangshme që sekretari amerikan të shohë foton, transmeton portali turk Aksam.

Kategoritë
BotaLajme