Bizneset presin që ZRrE të respektojë vendimin e Komerciales për daljen në treg të lirë

Pas vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për daljen në treg të hapur të bizneseve, përfaqësues të tyre kanë kërkuar që ky vendim të respektohet.

Sakaq, avokatja Blinera Osmani, përfaqësuese e disa prej bizneseve që janë ankuar në Komerciale, është deklaruar pas vendimit të Gjykatës.

Sipas saj, ky vendim është i zbatueshëm menjëherë dhe, siç thekson ajo, prodhon efekt të drejtpërdrejtë juridik.

“Kjo do të thotë se për të gjithë klientët që përfaqësohen nga ne, vendimi për daljen në treg të lirë nuk mund të zbatohet më. Ata duhet të rikthehen menjëherë në tregun universal, me furnizim të sigurt dhe me tarifa të rregulluara, ashtu siç ishin para datës 1 qershor 2025. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e klientëve tanë dhe për të siguruar zbatim të plotë dhe të paanshëm të drejtësisë”, ka deklaruar Osmani përmes një postimi në Facebook.

Gjykata Komerciale vendosi të pezullojë një pjesë të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për liberalizimin e tregut të energjisë, duke i cilësuar si të kundërligjshme, në ditën kur do të skadonte afatit për daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset me mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim në vit.

Kategoritë
LajmeVendi