Shtetet e Bashkuara ia kanë dalë t’i largojnë nga Rripi i Gazës 74 amerikanë me dyshtetësi, tha të enjten presidenti amerikan, Joe Biden, një ditë pasi nisi evakuimi nga Gaza përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin, Rafah.
“Lajm i mirë, ne i nxorëm sot [nga Gaza] 74 amerikanë me dyshtetësi”, tha presidenti Biden para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Biden kishte thënë se qytetarët amerikanë do të mundë të fillonin të largoheshin nga Gaza të mërkurën.
Gaza, një vend i vogël mesdhetar, po përballet me bombardime të pareshtura izraelite.
Hollësi shtesë se kush kishte mundësi të largohej nga Gaza dhe kur nuk u bënë publike.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, thotë se më shumë se 9.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite në enklavën me 2.3 milionë banorë prej 7 tetorit.