Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, deklaroi se “procesi i njohjes së shtetit palestinez duhet të fillojë tani”, duke theksuar se Gjermania, edhe pse e sheh njohjen si hapin përfundimtar, nuk do të tërhiqet nga ky qëllim.
Kjo deklaratë erdhi para vizitës së tij në Izrael dhe territoret palestineze dhe shkaktoi reagime të ashpra brenda qeverisë izraelite, veçanërisht nga ministrat e krahut të djathtë ekstrem.
“Për Gjermaninë, njohja e shtetit palestinez është më tepër fundi i procesit. Por një proces i tillë duhet të nisë tani. Gjermania nuk do të heqë dorë nga ky qëllim,” thuhet në njoftimin e Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme, duke cituar fjalët e ministrit Wadephul.
Wadephul theksoi se zgjidhja e arritur përmes negociatave për dy shtete mbetet “i vetmi mënyrë” për të gjetur një paqe të qëndrueshme që lejon njerëzit nga të dyja palët të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet. Ai paralajmëroi se procesi i njohjes mund të përshpejtohet, në varësi të rrethanave, veçanërisht nëse vazhdon politika e hapave të njëanshëm.
“Përballë kërcënimeve të hapura për aneksim nga një pjesë e qeverisë izraelite, një numër gjithnjë në rritje vendesh, përfshirë ato evropiane, janë gati të njohin shtetin palestinez pa negociata paraprake. Rajoni dhe procesi i paqes në Lindjen e Mesme janë në një kryqëzim,” tha Wadephul.
Megjithëse konfirmoi se Gjermania ka “përgjegjësi të veçantë ndaj Izraelit”, ai theksoi se nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj zhvillimeve dhe tragjedisë humanitare në Rripin e Gazës.
“Njëkohësisht, Izraeli duhet menjëherë, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të përhershme, të lehtësojë situatën katastrofike në Gazë. Gjermania është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për të zbutur vuajtjet,” shtoi ai.
Ai njoftoi se Gjermania do të marrë pjesë në transportin ajror të ndihmave humanitare në ditët në vijim dhe po punon për krijimin e një rruge tokësore humanitare.
“Vetëm me rrugë tokësore është e mundur dërgimi i sasive të mjaftueshme ndihmash. Prandaj, bëj thirrje urgjente qeverisë izraelite të sigurojë qasje të sigurt për OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare humanitare, dhe mbi të gjitha shpërndarje të sigurt dhe efikase të ndihmave,” përfundoi ai.
Reagimi i fortë i Itamar Ben Gvirt
Deklarata e ministrit gjerman shkaktoi një reagim të ashpër nga ministri izraelit për Sigurinë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i cili krahasoi mesazhet e Wadephulit me nazizmin.
“Kanë kaluar 80 vjet nga Holokausti, dhe Gjermania po kthehet në mbështetje të nazizmit,” shkroi Ben Gvir në rrjetin X, duke iu referuar komenteve të Wadephulit se Izraeli “po mbetet gjithnjë e më shumë në minorancë” në arenën ndërkombëtare, veçanërisht pas konferencës së fundit të OKB-së për zgjidhjen me dy shtete.
Kjo akuzë erdhi në momentin kur Wadephul ishte në udhëtim drejt Jerusalemit, ku pritet të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Jashtëm Gideon Sa’ar – të dy politikanë aleatë të Ben Gvirt brenda koalicionit qeverisës.
Wadephul kishte deklaruar më parë se ishte i shqetësuar për “kërcënimet e hapura për aneksim” nga një pjesë e qeverisë izraelite, çka, sipas tij, i kishte shtyrë shumë vende evropiane të konsideronin njohjen e shtetit palestinez pa negociata të mëparshme.
Ben Gvir dhe anëtarët e partisë së tij ekstremiste Otzma Yehudit janë të njohur për mbështetjen e fortë të aneksimit të Bregut Perëndimor, ndërsa pjesë të tjera të qeverisë Netanyahu nuk e kundërshtojnë idenë e tillë.