BE u bën thirrje liderëve të Serbisë dhe Kosovës “të mos përshkallëzojnë tensionet”

Bashkimi Evropian u bëri thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të distancohen nga deklaratat që përshkallëzojnë tensionet dhe që përfshijnë mundësinë e konfliktit në Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian (BE) u bëri thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të distancohen nga deklaratat që përshkallëzojnë tensionet dhe që përfshijnë mundësinë e konfliktit në Ballkanin Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell thuhet: “Janë çështje e një shqetësimi të madh, deklaratat nxitëse që janë dhënë kohët e fundit mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, kryesisht rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimor”.

“Politikanët e të dy palëve do të jenë përgjegjës për ngjarjet që do të shkaktojnë rritjen e mëtejshme të dhunës dhe tensioneve në rajon”, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se “Të dyja palët duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe duhet t’u japin fund deklaratave të rrezikshme dhe armiqësisë reciproke”.

Më tej thuhet se Serbia dhe Kosova mund të trajtojnë të gjitha çështjet në procesin e dialogut të ndërmarrë nën lehtësimin e BE-së dhe që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Serbët në Kosovë reaguan dhe mbyllën pikat kufitare në veri të vendit dhe tensionet në vend u rritën në fund të korrikut pasi u njoftua se të gjithë, përfshirë edhe serbët që jetojnë në Kosovë do të duhet të pajisen me kartë identiteti dhe targa të Kosovës.

Qeveria e Kosovës pas heqjes së barrikadave të vendosura në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, vendosi të shtyjë deri më 1 shtator vendimin që shkaktoi krizë me Serbinë.

Pas rritjes së tensioneve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se rreziku i një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë ishte i lartë, ndërsa dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pretendoi se “Qeveria e Kosovës ka planifikuar të sulmojë veriun e vendit ku jetojnë serbët”.

Pritet që kryeministri i Kosovës, Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq të takohen në Bruksel më 18 gusht. Po ashtu parashikohet që dy liderët një ditë më parë të zhvillojnë takime të ndara me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në një deklaratë më 1 gusht nga NATO-KFOR, u bë e ditur se situata e sigurisë në veri të Kosovës është e tensionuar dhe u theksua se “KFOR-i po ndjek situatën nga afër dhe se është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”.

Kategoritë
LajmeVendi