“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga raportet për situatën humanitare se furnizimet me ushqim të sjella gjatë armëpushimit po mbarojnë”, tha një zëdhënës i BE-së
Anouar El Anouni, një nga zëdhënësit e Komisionerit të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, i bëri thirrje Izraelit të heqë bllokadën ndaj Gazës dhe të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare, transmeton Anadolu.
“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga raportet për situatën humanitare se furnizimet me ushqim të sjella gjatë armëpushimit po mbarojnë”, tha El Anouni në konferencën ditore për shtyp, duke shtuar se BE-ja rikujton se ndihma humanitare duhet të arrijë te civilët në nevojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.
“Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Izraelit për të hequr bllokadën ndaj Gazës dhe që ndihma humanitare të fillojë të rrjedhë në Rripin e Gazës në shkallë të gjerë”, deklaroi më tej El Anouni.
– Ushtria izraelite pas shkeljes së armëpushimit rifilloi sulmet e dhunshme në Gaza
Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme në mëngjesin e 18 marsit, pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës.
Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, 2.326 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën dhe 6.050 të tjerë janë plagosur.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023, numri i palestinezëve që kanë humbur jetën është rritur në 52.418, ndërsa numri i të plagosurve në 118.091.
Izraeli, i cili shkeli armëpushimin, njoftoi se do të vepronte me “forcë ushtarake në rritje” kundër Hamasit, me arsyetimin se ai kishte refuzuar propozimet e tij të reja për armëpushim.
Nga ana tjetër, Hamasi njoftoi se “Izraeli ka rinisur gjenocidin kundër popullit palestinez në Rripin e Gazës duke mos mbajtur premtimet e tij dhe duke mos përmbushur përgjegjësitë e tij para vendeve që ndërmjetësuan armëpushimin”.