Edhe pse shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas paralajmëroi nisjen e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, nuk ka ende shumë hollësi lidhur me atë se cilat masa konkretisht janë shfuqizuar në këtë fazë.
“Përfaqësuesja e lartë e ka ngritur këtë çështje gjatë vizitës së saj të fundit në Kosovë, javën e kaluar. Ajo njoftoi se BE-ja ka filluar të heqë gradualisht masat e vendosura në qershor të vitit 2023. Dhe kjo është e kushtëzuar me vazhdimin e hapave drejt de-përshkallëzimit në veri”, ka thënë Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së.
Ajo që mësohet jozyrtarisht është se për momentin janë hequr masat që kishin ndaluar pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e nënkomiteteve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe asistenca teknike nga Korniza Financiare për Ballkanin Perëndimor, shkruan RTK.
Zyrtarët evropianë shpjegojnë se procesi i heqjes është gradual dhe i kthyeshëm. Ideja në Bruksel është që të lëvizet, siç thuhet, hap pas hapi: nëse vazhdon de-përshkallëzimi në veri të Kosovës, atëherë edhe masa të tjera mund të hiqen gradualisht.