BE ia heq masat Kosovës nëse i përmbush kërkesat ekzistuese: Të themelohet Asociacioni pa vonesa

Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i bëjë thirrje Kosovës që të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa do të mirëpresë hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit që po vjen.

Kjo porosi është në draftin e konkluzioneve që pritet të miratohen nga vendet anëtare të BE-së në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, më 12 dhjetor, në nivel të ministrave, e të cilat pastaj pritet të konfirmohen edhe nga udhëheqësit e BE-së, në një samit të paraparë për t’u mbajtur më 14 dhe 15 dhjetor.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e këtij dokumenti. Aty thuhet se Këshilli “ka marrë parasysh progresin e kufizuar të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit”.

Këshilli pritet që të shprehë “shqetësimin për shkak të mungesës së lirisë së shprehjes dhe kufizimin e pluralizmit në veri të Kosovës”.

“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe nga Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në tekst.

“Zgjedhjet e reja në veri të Kosovës duhet të zhvillohen sa më parë që të jetë e mundur, dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në to, pa asnjë parakusht. Serbët e Kosovës, po ashtu, duhet të kthehen në institucionet nga të cilat janë larguar. Kjo duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia”, thuhet në draftin e konkluzioneve.

“Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që të heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet në tekstin që ka parë REL-i.

Këshilli, edhe përmes këtyre konkluzioneve, pritet të përsërisë se nuk ka justifikim për dhunë, dhe të dënojë sulmet ndaj Policisë së Kosovës, në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Këshilli nënvizon përmirësimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it lidhur me këtë sulm. Këshilli mirëpret forcimin e pranisë së KFOR-it, posaçërisht në vijën kufitare/administrative mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në tekst, ku, po ashtu, i bëhet thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë, që të përmbahen nga retorika nxitëse.

“Këshilli pret nga Kosova dhe Serbia që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila do të garantonte siguri dhe demokraci përfaqësuese për të gjithë qytetarët”, thuhet në tekst.

Këshilli pritet të shprehë keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët të Marrëveshjes bazë për normalizimin e raporteve dhe të aneksit, sikur edhe çështjeve tjera të arritura në dialog.

Këshilli pritet të ftojë përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë që të plotësojë agjendën për takimin e radhës të Grupit Special për Normalizim, për të marrë parasysh obligimet e Kosovës që dalin nga Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit të saj.

Këshilli i BE-së pritet të përshëndesë orientimin e qartë gjeostrategjik të Kosovës, që është dëshmuar edhe përmes dënimit të ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe përmes përshtatjes vullnetare të qëndrimeve të saj në politiken e jashtme me ato të Bashkimit Evropian.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi