BE bën thirrje për respektimin e sovranitetit të Sirisë mes sulmeve në rritje nga Izraeli

“Në dritën e sulmeve në rritje të Izraelit në territorin sirian, ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të jashtëm të respektojnë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, theksoi zëdhënësi i BE-së

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur shqetësimin për sulmet ushtarake gjithnjë e më të shpeshta të Izraelit në territorin sirian, duke i bërë thirrje të gjithë aktorëve të jashtëm që të respektojnë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë, transmeton Anadolu.

“BE është e alarmuar nga përplasjet e vazhdueshme në Sweida (Suwayda) të cilat kanë shkaktuar shumë viktima dhe dënon ashpër dhunën e raportuar ndaj civilëve”, tha zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni.

“Autoritetet tranzitore kanë përgjegjësinë për të ulur tensionet dhe për të rikthyer qetësinë, për të garantuar përgjegjësinë për të gjitha krimet dhe për të çuar përpara një tranzicion gjithëpërfshirës. BE është e gatshme të mbështesë këto përpjekje”, shtoi ai.

“Në dritën e sulmeve në rritje të Izraelit në territorin sirian, ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të jashtëm të respektojnë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë”, theksoi zëdhënësi i BE-së.

Sot, Izraeli rinisi sulmet ajrore në Suwayda, në jug të Sirisë, në shkeljen më të fundit të sovranitetit të vendit. Tel Avivi pretendon se sulmet kanë për qëllim mbrojtjen e komunitetit druzë në Siri.

Ndërkohë, së fundmi, siç raportoi agjencia shtetërore e lajmeve SANA, të paktën dy persona u plagosën nga një sulm ajror izraelit që goditi kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë siriane në Damask.

Sulmet ndodhën derisa ushtria siriane vendosi forca në provincë për të rikthyer sigurinë dhe për të mbrojtur civilët dhe pronat e tyre, pas përplasjeve të armatosura mes grupeve druze dhe beduine, që lanë të paktën 30 persona të vrarë.

Kategoritë
BotaLajme