Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, janë bërë bashkë sot në një ngjarje të veçantë kulturore dhe fetare të organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Çështjeve Fetare të Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Në ambientet e Kryesisë së BIK-ut në Prishtinë u hap ekspozita “Urat”, e cila sjell për publikun një koleksion të rrallë të trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe historike të Arabisë Saudite. Kjo ekspozitë synon të shërbejë si një urë simbolike për afrimin ndërkulturor dhe ndërfetar.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një postim në Facebook tha:
“Ekspozita ‘Urat’ është dëshmi e fuqisë që arti dhe trashëgimia kulturore kanë për të ndërtuar ura mirëkuptimi mes njerëzve. Kryeqyteti ynë sot u bë vendtakim i traditave dhe vlerave universale, një hapësirë ku urat nuk janë vetëm simbol, por rrugë drejt njohjes së ndërsjellë dhe respektit mes popujve”, ka shkruar Rama./Telegrafi/