Barcelona solidaritetin e saj për gjenocidin e Bosnjës po e tregon tani edhe në gjenocidin e Gazës

Kreu i Bashkisë së Barcelonës, Collboni tha se projekti “Distrikti 11. Qyteti i Gazës dhe qytetet palestineze” do të fillojë në fund të vitit dhe do të ketë një buxhet prej 1 milion eurosh.

Kryetari i Bashkisë së Barcelonës në Spanjë, Jaume Collboni demonstroi solidaritet me palestinezët që përballen me gjenocid nga Izraeli dhe njoftoi krijimin e “Distrikti të 11-të” në Barcelonë, i cili do të sigurojë bashkëpunim ekspert dhe teknik me bashkitë palestineze, transmeton Anadolu.

Kryetari i Bashkisë së Barcelonës, Collboni bëri një deklaratë për mediat gjatë vizitës së tij në Zyrën e Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në kryeqytetin e Jordanisë, Aman.

Ai theksoi se përveç 10 distrikteve ekzistuese në Barcelonë, do të krijojnë një distrikt të quajtur “Distrikti i 11-të. Qyteti i Gazës dhe qytetet palestineze”. Pasi rikujtoi se projektin e Distriktit 11 që Barcelona e krijoi në vitin 1995 në solidaritet me Sarajevën pas gjenocidit boshnjak, tani do ta bëjnë këtë për Gazën, Collboni tha:

“Projekti Distrikti 11 i Sarajevës, i mbështetur nga kryetari i atëhershëm i bashkisë Pasqual Maragall në Barcelonë pas Luftërave Ballkanike, përbën shembull të suksesshëm. Tani, ne do të bëjmë të njëjtën gjë për Gazën dhe qytete të tjera palestineze. Simbolika e bashkëpunimit është pjesë e strukturës së Bashkisë së Barcelonës. Ekspertët dhe ekipet teknike në fusha të tilla si planifikimi, arsimi dhe shëndetësia, nga bashkitë në qytetet palestineze do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Barcelonë dhe të kryejnë punime këtu”.

Collboni vuri në dukje se projekti “Distrikti 11. Qyteti i Gazës dhe qytetet palestineze” do të fillojë në fund të vitit dhe do të ketë një buxhet prej 1 milion eurosh.

“Ky nuk do të jetë bashkëpunimi i vetëm. Do të jetë një strukturë e përhershme e projektuar për të përfituar nga aftësitë e teknikëve të bashkisë. Ky është projekt afatgjatë. Një projekt i tillë kërkon kontakt të ngushtë me ekipet lokale. Bashkëpunimi do të vazhdojë në territoret palestineze ose, nëse është e nevojshme, edhe në territorin jordanez”, tha ai.

Sipas tij, Bashkia e Barcelonës do të dyfishojë mbështetjen e saj ekonomike për UNRWA-në, duke e rritur atë nga 200 mijë euro në 400 mijë euro në vit.

– Izraeli pengoi vizitën e Collbonit në Palestinë

Vizita e planifikuar e kryetarit të Bashkisë së Barcelonës, Collboni, në Palestinë javën e kaluar, që synonte të “forconte bashkëpunimin me qytetet palestineze dhe rolin e qyteteve si ndërmjetës paqeje”, u pengua nga Izraeli.

Pas kësaj, Collboni vendosi të udhëtonte në Jordani për të vëzhguar nga afër punimet e UNRWA-së.

Në maj, Bashkia e Barcelonës vendosi të “ndërpresë të gjitha marrëdhëniet institucionale me Izraelin derisa të respektojë ligjin ndërkombëtar” dhe të “pezullojë marrëveshjen e qytetit të binjakëzuar Barcelonë-Tel Aviv”.

Kategoritë
BotaLajme