Deputetja Duda Balje ka reaguar pas postimin e fundit, në të cilën kishte shkruar se “hakmarrja nuk ka nisur, veç ka vazhduar”, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia shkarkoi dy zyrtarë të partisë nga postet qeveritare.
Ajo ka sugjeruar këdo qëka informacione dhe prova se ndonjë anëtar në partinë e saj apo familjes që ka bërë të keqe ndaj shteti apo individit, le ta raportojnë tek institucionet e rendit.
“Përshëndetje për të gjithë ju që nga dje keni shkruar komente në postimin tim të fundit — gati 400 prej jush. Dua t’ju them këtë: nëse keni ndonjë provë, qoftë edhe më të voglën, që unë ose ndonjë anëtar i familjes sime kemi bërë diçka të keqe ndaj shtetit apo ndonjë individi, raportojeni aty ku duhet. Nëse nuk keni — dhe të gjithë e dimë që nuk keni, e me çdo koment tuajin vetëm përhapni gënjeshtra — mos e humbni më kohën. Prej tetë muajsh po përpiqeni në mënyrë të organizuar të bëni të njëjtën gjë, dhe tashmë është bërë monotone, pa asnjë rezultat konkret. Asnjë koment i juaji nuk mund të ndryshojë asgjë në jetën time. Të gjitha ato gënjeshtra, linçime mediatike, fyerje, kërcënime dhe shantazhe vetëm më pastrojnë mëkatet. Në emër të kësaj — uroj të jeni mirë dhe me shëndet ju dhe familjet tuaja”, ka shkruar Balje.
Ndryshe, Kurti ka shkarkuar nga detyra zëvendësministrin për Zhvillim Rajonal, Elldin Ugllar, anëtar i partisë SDU.
Në vendimin e lëshuar për shkarkimin e Ugllar, thuhet se i njëjti “obligohet të bëjë deklarimin e pasurisë në përputhje me ligjin për kontrollin e pasurisë dhe dhuratave”.
Krahas tij, nga dokumenti që po qarkullon në media, nga pozita e këshilltarit politik është shkarkuar edhe Enes Sulejmanoviç, gjithashtu pjesë e SDU-së.
Këto shkarkime, Balje i cilësoi si hakmarrje.



















