Bajrami: Deputetët e VV-së po kryejnë vepra penale, organet e drejtësisë të veprojnë

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë ndaj deputetëve të LVV-se që tashmë mbajnë edhe pozitat në ekzekutiv si ministra në detyrë.

Në një postim në Facebook, Bajrami ka theksuar se deputetët e VV-së çdo ditë po e rëndojnë jetën e qytetarëve të vendit, dhe po e sfidojnë rendin Kushtetues.

“Duke e bllokuar Kuvendin e Kosovës, duke rënduar jetën e qytetarëve për çdo ditë, deputetët e Vetëvendosjes po sfidojnë rendin ligjor e kushtetues të Kosovës. Duke e ditur se po shkelin ligjet dhe kushtetutën dhe rrjedhimisht po kryejnë vepra penale kanë nisur fushatën e viktimizimit dhe propagandës se gjyqësori po përgatit arrestimin e “ministrave” në llogari të partive tjera”.

“U bëj thirrje edhe një herë organeve të drejtësisë të veprojnë, të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe të vlejë parimi për të gjithë: Askush mbi ligjin!”, ka thënë Bajrami.

E njëjta i përmendi katër sqarime që sipas saj deputetët e VV-së po kryejnë vepra penale duke mbajtur të uzurpuara pozitat qeveritare.

“E para, lëndë në Gjykatë Kushtetuese mund të dërgojnë vetëm deputetët që kanë fituar mandatin, që janë certifikuar, që janë betuar dhe që VOTOJNË në Parlamentin e Kosovës. E thjeshtë, nëse nuk je deputet nuk mund votosh në Parlament. Ligji dhe Kushtetuta e kanë kufizuar ndërsa Gjykata Supreme e ka sqaruar përfundimisht se deputeti nuk mund të jetë në dy funksione. E dyta, Kushtetuta në nenin 70 e thotë se mandati i deputetit fillon në ditën kur certifikohen zgjedhjet. S’je deputet nëse s’ke bërë betim, s’mund të jesh deputet nëse je i emëruar anëtar i Qeverisë”.

“E treta, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e thotë qartë se  ‘Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve’. E katërta dhe po aq e rëndësishme: Qeveria në dorëheqje NUK lejohet të miratojë as strategji dhe madje as koncept dokument”, ka thënë Bajrami.

Bajrami shtoi se me ligjin që e kanë miratuar e hartuar vetë, deputetët e VV-së, e kanë ndaluar të miratojnë dokumente që janë më pak të rëndësishme se aktet ligjore e nënligjore.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi