Prokuroria Themelore e Prizrenit pretendon se M.G. rreth 45-vjeçar me dashje ka privuar nga jeta vajzën e tij 14-vjeçare, ka plagosur me thikë vajzën tjetër 10-vjeçare dhe gruan e tij, për çka ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
Siç raporton Kallxo.com, në kërkesën e paraburgimit, Prokuroria pretendon se M.G. i kishte sulmuar vajzat e tij me thikë gjatë kohës kur ato ishin në gjumë.
“Me datë 06.05.2025 rreth orës 05:30 në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta fëmijën, anëtaren e familjes Sh.G. të cilën e ka vajzë dhe jetonte në një shtëpi të përbashkët, duke venë në rrezik jetën edhe të personave të tjerë, në atë mënyrë që atë ditë posa e falë namazin e sabahut, hynë në dhomë ku ishin vajzat e tij, të cilat ishin ende në gjumë, merr thikën e llojit “Bajonet”, me gjatësi tehu rreth 23 centimetra me të cilën fillimisht sulmon vajzën e mitur 14-vjeçare e 11 muaj duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të qafës (fytit) me ç’rast e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes.” – thuhet në dosjen e Prokurorisë së Prizrenit.
Me këto veprime sipas Prokurorisë i dyshuari ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Pasi kishte vrarë vajzën 14-vjeçare, sipas dosjes së Prokurorisë M.G. kishte tentuar t’i privojë nga jeta me dashje edhe vajzën tjetër 10 vjeçare dhe gruan e tij.
“…më pas me të njëjtën thikë e godet në pjesë të qafës në pjesë të qafës të dëmtuarën A.G. – 10 vjeçare të cilës i shkakton lëndime të renda trupore dhe më pas me të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij R.G. në pjesë të fytyrës dhe të duarve duke i thënë fjalët: vajzat tona duhet të vdesin dhe të gjithë duhet të shkojmë në xhenet, unë do të mbysë edhe ty e pastaj edhe veten.”- thuhet mes tjerash në kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit për caktim të masës së paraburgimit.
Me këto veprime sipas Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje rëndë e ngelur në tentativë”.
Rasti ka ndodhur të martën rreth orës 05:58 në rrugën “Shotë Galica”.
“Sot rreth orës 5:58 policia përmes telefonit ka marrë informartë që në rrugën “Shotë Galica” në Prizren është një person i lënduar. Në drejtim janë nisur katër patrolla, që me qëllim me neutralizu personin me thikë ne dorë dhe në vendngjarje kanë kuptuar se janë tre persona të lënduar dhe dyshohet se babai ka lënduar me thikë dy vajzat e tij, një 15 vjeçare e cila ka ndërruar jetë në vend ngjarje dhe 10 vjeçare e cila ndodhet në QKUK në gjendje të rendë”, tha Bytyqi për Reporteri.net, ndërsa theksoi se kjo familje është me shtetësi turke, por që banojnë në Prizren”, ka konfirmuar atë ditë Policia.