Donald Trump gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të shtunën me liderë të disa vendeve arabe dhe myslimane ka kërkuar që, nëse arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës me Iranin, shtetet e tyre të nënshkruajnë marrëveshje paqeje me Izrael.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë të njohur me bisedën, Trump ua ka përcjellë këtë mesazh udhëheqësve të Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Pakistani, Turqia, Egjipti, Jordania dhe Bahreini.
Gjatë telefonatës u diskutua për marrëveshjen që po formohet me Iranin, ndërsa disa liderë – mes tyre edhe presidenti i Emirateve, Mohammed bin Zayed Al Nahyan – shprehën mbështetje për këtë proces.
Një zyrtar amerikan tha se më pas Trump njoftoi se do të zhvillonte bisedë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe shprehu shpresën që ai së shpejti të përfshihet në të njëjtin format diskutimi.
Sipas të njëjtave burime, nga shtetet që ende nuk janë pjesë e Abraham Accords ose nuk kanë marrëveshje paqeje me Izraelin pritet që t’u bashkohen dhe të normalizojnë marrëdhëniet.
Kjo kërkesë, sidomos te liderët e Arabisë Saudite, Katarit dhe Pakistanit, ka shkaktuar habi, pasi këto vende nuk kanë marrëdhënie diplomatike formale me Izraelin.
Një zyrtar amerikan e përshkroi reagimin me fjalët:
“Në linjë mbretëroi heshtja dhe Trump bëri shaka duke pyetur nëse ishin ende aty.”
Më pas ai njoftoi se dhëndri i tij Jared Kushner dhe i dërguari Steve Witkoff do të merren me këtë çështje në javët në vijim.
Trump të dielën në platformën Truth Social falënderoi vendet e Lindjes së Mesme për mbështetjen dhe bashkëpunimin duke deklaruar:
“Dua të falënderoj, deri tani, të gjitha vendet e Lindjes së Mesme për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre, të cilat do të forcohen edhe më tej përmes bashkimit me kombet e Marrëveshjeve historike të Abrahamit.”
Ai përmendi gjithashtu mundësinë që një ditë edhe Irani t’u bashkohet këtyre marrëveshjeve, gjë që do të nënkuptonte njohjen e Izraelit.
Megjithatë, përparimi i shpejtë duket pak i mundshëm. Princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, më herët kishte treguar gatishmëri për normalizim të marrëdhënieve, por gjatë vitit të fundit e ka zbutur këtë qëndrim.
Zyrtarët sauditë vazhdojnë të kërkojnë që Izraeli të angazhohet për një rrugë të pakthyeshme dhe me afate të përcaktuara drejt krijimit të një shteti palestinez, gjë që qeveria izraelite e refuzon, ndërsa zyrtarët amerikanë dhe izraelitë nuk presin përparim para zgjedhjeve në Izrael të planifikuara për shtator.










