Axios pretendon: Trump e ofendoi ashpër Netanyahun në një bisedë telefonike, i tha se është i çmendur dhe se të gjithë e urrejnë Izraelin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, anuloi një sulm të planifikuar ndaj Bejrutit pas një bisede telefonike të tensionuar me presidentin amerikan Donald Trump, i cili më vonë mori meritat për bindjen e Izraelit që të tërhiqej.

Trump e bëri publik këtë zhvillim të hënën mbrëma në platformën Truth Social, duke thënë se Netanyahu ndryshoi kurs pas bisedës së tyre.

“Sot pata një bisedë me Bibi Netanyahun, duke i kërkuar që të mos kryente një sulm të madh ndaj Bejrutit në Liban. Ai i tërhoqi trupat e tij. Faleminderit, Bibi”, shkroi Trump.

Biseda erdhi në një moment të rritjes së tensioneve rajonale, pasi Irani thuhet se kishte kërcënuar të tërhiqej nga negociatat me Uashingtonin për shkak të veprimeve ushtarake izraelite në Liban. Më herët, Netanyahu kishte paralajmëruar se Izraeli do të godiste “objektiva terroriste” në Bejrut nëse Hezbollah vazhdonte sulmet ndaj Izraelit.

Trump pretendoi gjithashtu se kishte zhvilluar bisedime me përfaqësues të Hezbollahut dhe se të dyja palët kishin rënë dakord të ndalonin sulmet.

“Kam biseduar edhe me përfaqësues të udhëheqësve të Hezbollahut dhe ata ranë dakord të ndalonin të shtënat ndaj Izraelit dhe ushtarëve të tij. Po ashtu, Izraeli ra dakord të ndalonte sulmet ndaj tyre. Të shohim sa do të zgjasë kjo – shpresojmë përgjithmonë”, tha ai.

Ndërkohë, media amerikane Axios raportoi se tensionet gjatë telefonatës mes Trumpit dhe Netanyahut ishin jashtëzakonisht të larta dhe se mes dy liderëve pati përplasje të forta verbale.

“Ti je i çmendur. Do të ishe në burg po të mos isha unë. Po të shpëtoj. Tani të gjithë të urrejnë. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj”, raportoi Axios duke cituar një zyrtar amerikan që nuk deshi të identifikohej.

Një burim tjetër tha për Axios se Trump ishte “jashtëzakonisht i zemëruar” dhe se në një moment i kishte bërtitur Netanyahut:

“Çfarë dreqin po bën?”

Një zyrtar tjetër deklaroi për këtë media se Trump e dominoi plotësisht bisedën me Netanyahun.

“Bibi tha: ‘Mirë, mirë, vetëm sigurohu që gjithçka të rregullohet’”, citohet të ketë thënë zyrtari.

Më herët, Trump deklaroi për NBC News se nuk ishte informuar paraprakisht për ndërprerjen e pretenduar të negociatave, por la të kuptohet se nuk ishte i shqetësuar nëse ato kishin përfunduar.

“Nuk ka problem nëse bisedimet kanë përfunduar”, tha Trump gjatë një bisede të shkurtër telefonike me NBC News.

“Kjo është një gjë e përshtatshme për t’u thënë, sepse ata janë negociatorë më të mirë sesa luftëtarë. Por nuk na informuan për këtë. Kjo nuk do të thotë se ne do të shkojmë dhe do të fillojmë të bombardojmë gjithçka atje”, shtoi ai.

Këto deklarata erdhën pasi forcat amerikane dhe iraniane shkëmbyen sulme gjatë fundjavës dhe të hënën, duke ushtruar presion mbi armëpushimin pothuajse dymujor mes palëve në konflikt.

Pavarësisht armëpushimit, Izraeli ka vazhduar ofensivën ushtarake në Liban, ndërsa trupat izraelite gjatë fundjavës kryen depërtimin më të thellë në territorin libanez në 26 vitet e fundit.

Kategoritë
BotaLajme