Avokati i familjes Zejnullahu nuk lejohet në seancë: Familja e meriton një qasje dinjitoze

Avokati i familjes Zejnullahu, Asdren Hoxha, nuk është lejuar të marrë pjesë në seancën gjyqësore ndaj pesë policëve të dyshuar për “vrasje nga pakujdesia” në rastin e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu

Para nisjes së seancës, Hoxha deklaroi se gjyqtarja nuk ia ka mundësuar pjesëmarrjen dhe shtoi se do të ishte e drejtë që pala e dëmtuar të ketë një qasje dinjitoze, duke qenë e pranishme në seancë dhe duke mbetur e informuar për çështjen.

“Unë erdha sot për të marrë pjesë në seancën që mbahet lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit nga ana e Prokurorisë. Mirëpo, çuditërisht, gjyqtarja e procedurës paraprake më refuzoi që të marr pjesë në seancë dhe të mbetem i informuar si përfaqësues i palës së dëmtuar.

Kërkova sqarime dhe insistova disa herë, mirëpo qasja ishte e tillë që unë nuk duhej të merrja pjesë. Kodi i Procedurës Penale të Kosovës, në nenin 63 parasheh të drejtën e të dëmtuarit dhe në nenin 64 të drejtën për të mbetur i informuar. Nuk e parasheh shprehimisht prezencën e palës së dëmtuar në seancat për caktimin e masës së sigurisë, mirëpo ka qenë e arsyeshme dhe e drejtë që pala e dëmtuar të ketë një qasje dinjitoze, duke qenë e pranishme në seancë dhe duke mbetur e informuar për çështjen.

Fatkeqësisht, kjo u refuzua, dhe është për të ardhur keq”, shtoi Hoxha.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi