Avokati i njërit prej pesë policëve të përfshirë në vdekjen e të riut në Lipjan, Besnik Berisha, ka thënë se zyrtarët policorë nuk janë as fajtorë, as nuk e meritojnë të jenë në pritje të një dënimi, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se mjekësia s’ka folur ende për shkakun e vdekjes e as për “substancat në organizmin e tani të ndjerit”.
“Mjekësia nuk ka folur dhe nuk dihet shkaku i vdekjes, as nuk dihen substancat në organizmin e tani të ndjerit. Keqardhje pa fund për një jetë të humbur, por që zyrtarët policorë nuk janë as fajtorë, as nuk e meritojnë të jenë në pritje të një dënimi. Vepruan ashtu siç janë të trajnuar sipas udhëzimeve dhe u dolën në ndihmë qytetarëve të Lipjanit.
Fakti që dikush ka humbur jetë, ndodh gjithkund. Sot u kërkua masa e paraburgimit sepse raportet janë të acaruara. Veprimet e tani të ndjerit kanë qenë të dhunshme. I pari që ka telefonuar për ndihmë ka qenë prokuror. Nëse prokuroria nuk i beson prokurorit, atëherë kemi problem me sistemin.
Zyrtarët e kanë kryer detyrën e tyre. Ata s’mund ta zëvendësojnë doktorin. Kemi një situatë ku duhet të flasë mjekësia”.