Aeroplani Antonov An-24, i cili sot u rrëzua në rajonin Amur të Rusisë, i përkiste kompanisë rajonale Angara Airlines me seli në Irkutsk dhe fluturonte drejt aeroporteve në Siberi e në Gjirin e Largët të Rusisë.
Sipas portalit RussianPlanes, Angara operon me një flotë prej 10 avionësh An-24 të prodhuar midis viteve 1972–1976. Fluturimi që përfundoi tragjikisht u realizua me një nga këta avionë, të prodhuar në 1976, i cili fillimisht kishte bërë pjesë në Aeroflot, kompania shtetërore sovjetike, deri në shpërbërjen e BS-së në 1991.
Rruga e tij kalonte nga qyteti Blagoviçensk drejt Tyndës, një qendër hekurudhore pranë kufirit me Kinën. Avioni u zhduk nga radarët gjatë përgatitjeve për ulje. Sipas të dhënave paraprake të guvernatorit Vasilij Orlov, në bord ishin 43 pasagjerë, përfshirë pesë fëmijë, dhe gjashtë anëtarë ekuipazhi. Më vonë qeveria federale raportoi 42 pasagjerë.
Zgjatja e “jetës” së “traktorit fluturues”
Angara vitin e kaluar ishte një nga dy kompanitë siberiane që i kërkuan qeverisë ruse lejimin për zgjatjen e periudhës së shfrytëzimit të avionëve Antonov, shumë prej të cilëve tashmë mbi 50 vjeç. Me largimin e prodhuesve të huaj nga tregu rus, industria vendase nuk ka mundësi të ofrojë në kohë zëvendësim.
An-24, që në aviacionin rus njihet si “traktor fluturues”, konsiderohet i qëndrueshëm dhe i besueshëm, i përshtatur për kushtet ekstreme të Siberisë: fluturon në temperatura shumë të ulëta dhe nuk kërkon pistë të rregulluar. Megjithatë, mirëmbajtja e këtyre aeroplanëve po shndërrohet gjithnjë e më e shtrenjtë.
Kompanitë ajrore, pilotët dhe ekspertët e industrisë paralajmërojnë se kostoja e mirëmbajtjes së An-24 është rritur ndjeshëm për shkak të sanksioneve perëndimore pas nisjes së luftës në Ukrainë, që kanë kufizuar investimet dhe aksesin te pjesët rezervë.
Zëvendësimi vetëm pas 2027‑s
Megjithëse industria ruse po punon për një zëvendësues, aeroplani i ri i klasës An-24, i quajtur “Ladoga”, nuk pritet të hyjë në prodhim seri para vitit 2027. Deri atëherë, kompanitë rajonale si Angara përpiqen t’i mbajnë në shërbim avionët e vjetër, pasi – thonë – nuk kanë alternativë.
Pas aksidentit, qeveria federale ruse formoi një komision të posaçëm për menaxhimin e pasojave të rrëzimit dhe nisi një hetim penal për shkelje të mundshme të rregullave të sigurisë. Kremlini konfirmoi se Presidenti Vladimir Putin është informuar për ngjarjen.