Australia ndalon hyrjen e një deputeti izraelit: Votoi për aneksimin e Bregut Perëndimor

Australia i ka ndaluar hyrjen deputetit të ekstremit të djathtë nga Partia e Sionizmit Fetar, Simcha Rothman, i cili kishte planifikuar një sërë paraqitjesh publike, njoftoi të hënën ministri i Brendshëm Tony Burke, duke e akuzuar politikanin se synon “të përhapë përçarje”.

Rothman, deputet i krahut të djathtë ekstrem, pritej të mbante ligjërata në shkolla dhe sinagoga hebraike si dhe të takohej me “viktimat” e valës së fundit të sulmeve antisemitike, sipas Shoqatës Hebraike Australiane, e cila e kishte ftuar dhe më pas konfirmoi anulimin.

“Nëse vini në Australi për të përhapur mesazhe urrejtjeje dhe përçarjeje, nuk ju duam këtu. Australia do të mbetet një vend ku të gjithë mund të ndihen të sigurt”, tha Burke.

Si pasojë e anulimit të vizës, Rothman nuk mund të udhëtojë në Australi për tre vitet e ardhshme.

Në një deklaratë, Rothman e quajti vendimin “dorëzim përballë terrorizmit dhe antisemitizmit që është i përhapur në rrugët e Australisë” dhe tha se kjo erdhi për shkak të votimit të Knessetit muajin e kaluar për një propozim simbolik mbi aneksimin e Bregut Perëndimor, që nuk është juridikisht detyrues.

Ai shtoi se ishte ftuar të fliste sepse qëndrimet e tij “pasqyrojnë shumicën e shoqërisë izraelite: që Hamasi ka treguar se duhet mposhtur dhe se shteti palestinez përbën rrezik për ekzistencën e shtetit të Izraelit”.

Në një intervistë për televizionin publik Kan të hënën, Rothman pretendoi se qeverisë australiane “i është kërcënuar nga xhihadistë islamikë për atë që do të ndodhte nëse atij do t’i lejohej vizita, dhe në vend që të mbronin rendin publik, ata iu dorëzuan terrorit”.

Sipas Shoqatës Hebraike Australiane, viza u anulua disa orë para se Rothman të nisej drejt Australisë.

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e dënoi vendimin në platformën X, duke e quajtur atë “një njollë historike dhe turp për qeverinë australiane”.

Rothman, i cili drejton Komisionin e Kushtetutës, Ligjit dhe Drejtësisë në Knesset, shihet si një nga arkitektët kryesorë të reformës kontroverse të sistemit gjyqësor që po zbaton qeveria izraelite.

Ai është anëtar i Partisë së Sionizmit Fetar të ministrit të Financave Bezalel Smotrich. Në qershor, si Smotrich ashtu edhe Ben Gvir u vendosën nën sanksione nga Australia, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Zelandën e Re dhe Norvegjinë, për nxitje të dhunës ekstremiste kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Smotrich ka bërë thirrje hapur për ripopullimin e Gazës dhe në maj tha se Izraeli nuk do të tërhiqet nga Rripi edhe nëse arrihet një marrëveshje tjetër për pengjet, duke u thënë izraelitëve të pranojnë fjalën “okupim”.

Kategoritë
BotaLajme