Personeli amerikan i Shtëpia e Bardhë mblodhi dhe hodhi të gjitha sendet që zyrtarët kinezë ua kishin shpërndarë anëtarëve të delegacionit amerikan para hipjes në avionin presidencial Air Force One në aeroportin e Pekinit, përfshirë akreditimet, telefonat e përkohshëm dhe distinktivët e delegacionit.
Korrespondentja e New York Post nga Shtëpia e Bardhë, Emily Goodin, publikoi në rrjetin X se personeli amerikan nuk lejoi futjen e asnjë sendi kinez në avion.
“Personeli amerikan mori gjithçka që zyrtarët kinezë i kishin dhënë delegacionit, përfshirë akreditimet, telefonat e përkohshëm dhe distinktivët, dhe i hodhi në kosh para hipjes në Air Force One. Asgjë nga Kina nuk lejohej të hynte në avion”, shkroi Goodin.
Presidenti amerikan Donald Trump u largua nga Pekini me një ceremoni zyrtare përcjellëse nga autoritetet kineze. Në aeroport ai u përcoll nga ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, ndërsa nxënësit valëvitnin flamujt amerikanë dhe kinezë duke brohoritur mesazhe lamtumire.
Trump, para se të hynte në avion, ngriti grushtin drejt të pranishmëve, përshëndeti me dorë dhe pa dhënë deklarata shtesë hyri në avion.
Vizita treditore në Kinë ishte vizita e parë e një presidenti aktual amerikan në këtë vend pas nëntë vitesh, ndërsa u karakterizua nga takime simbolike dhe bisedime me presidentin kinez Xi Jinping.
Dy liderët zhvilluan takim në Sallën e Madhe të Popullit, morën pjesë në një banket të përbashkët dhe vizituan disa lokacione historike në Pekin, përfshirë kompleksin Zhongnanhai.
Xi e përshkroi vizitën si “historike dhe një pikë kthese” në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se të dyja palët janë dakord për nevojën e ndërtimit të “marrëdhënieve konstruktive kino-amerikane të stabilitetit strategjik”.
Nga ana tjetër, Trump deklaroi se bëhej fjalë për një “vizitë të jashtëzakonshme” nga e cila kanë dalë shumë gjëra pozitive. Ai lavdëroi liderin kinez duke thënë se ka “respekt të madh” për të dhe shtoi se të dy vendet kundërshtojnë zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani.
Megjithatë, prapa dyerve të mbyllura pala kineze paralajmëroi për pasoja të mundshme të çdo veprimi të gabuar lidhur me Tajvan, ndërsa Trump gjatë vizitës shmangu komentet publike për këtë çështje.
Sipas Reuters, samiti nuk solli përparime të mëdha në marrëdhëniet tregtare dhe as marrëveshje konkrete për ndihmën kineze lidhur me luftën në Iran. Gjithashtu, nuk u arrit marrëveshje për kufizimet kineze në eksportin e mineraleve të rralla, ndërsa marrëveshjet e paralajmëruara në sektorët e bujqësisë, mishit të viçit dhe aviacionit nuk rezultuan me njoftime konkrete.
Ndërkohë, South China Morning Post raportoi se presidenti rus Vladimir Putin mund të vizitojë Kinën javën e ardhshme, megjithëse ende nuk ka konfirmim zyrtar nga Pekini dhe Moska. Kremlini njoftoi se përgatitjet për vizitën praktikisht kanë përfunduar.










