Arrestohet një adoleshent (18-vjeçar) që ndihmoi rusët në realizimin e një prej sulmeve më të mëdha ndaj Kievit

Njësia e kundërzbulimit e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SSU) ka arrestuar një agjent rus që ndihmoi në koordinimin e një prej sulmeve më të mëdha ruse ndaj Kievit gjatë natës mes 23 dhe 24 majit. Në këtë sulm të rëndë u plagosën 91 persona, ndërsa dy humbën jetën.

Sipas njoftimit të SSU-së, i dyshuari u arrestua vetëm një ditë pas sulmit ndaj kryeqytetit, pikërisht në momentin kur po kryente zbulime të mëtejshme pranë një objekti të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, duke mbledhur informacione për pasojat e goditjeve ruse.

“Hetimet kanë konstatuar se detyrën e armikut e ka kryer një 18-vjeçar nga Kievi, i cili kishte rënë në kontakt me shërbimet sekrete ruse ndërsa kërkonte ‘fitim të lehtë’ përmes kanaleve në Telegram”, thuhet në deklaratën zyrtare të SSU-së.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravçenko, konfirmoi se i dyshuari është 18 vjeç dhe i lindur në rajonin e Çerkasit.

Pas rekrutimit, detyra e tij e parë provuese ishte të shkonte në periferinë e kryeqytetit dhe të shënonte në Google Maps rrugët e transportit që përdoren për lëvizjen e pajisjeve ushtarake ukrainase.

Më pas, atij iu dha detyra të dokumentonte pasojat direkte të sulmit të kombinuar ndaj Kievit dhe t’ua raportonte ato koordinatorëve rusë.

Gjatë arrestimit, autoritetet i sekuestruan telefonin mobil, ku u gjetën raporte të detajuara të zbulimit mbi pasojat e sulmit, si dhe komunikimet me koordinatorin rus.

18-vjeçarit i është dorëzuar zyrtarisht njoftimi për dyshimin e kryerjes së tradhtisë së lartë në kushtet e gjendjes së luftës. Gjykata kompetente tashmë i ka caktuar masën e paraburgimit pa të drejtë lirimi me kusht (pa kaucion).

Kategoritë
BotaLajme