Arrestimi i Lulzim Halilit në Serbi, OVL: Nuk ishte pjesë e UÇK-së

Lulzim Halili nga Peja është arrestuar dje në Serbi në një aksion të Shërbimit serb të inteligjencës (BIA) në bashkëpunim me policinë serbe, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

Mirëpo, Organizata e Veteranëve të Luftës bëri të ditur se Lulzim Halili nuk ishte pjesë e UÇK-së.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, tha për Ekonomia Online se pas verifikimeve në dokumentacionin zyrtar, doli se Halili nuk figuron si veteran, pjesëmarrës apo anëtar i UÇK-së.

“Ne mbrëmë e kemi marrë këtë informacion dhe jemi interesuar prej dje si OVL në të gjitha regjistrat dhe dokumentacionet që i kemi, personi në fjalë rezulton të mos jetë veteran i UÇK-së. Por as në dy kategori të tjera që është pjesëmarrës dhe pjesëtar i UÇK-së nuk figuron në asnjë prej këtyre listave që ne kemi në arkiv. As anëtar i organizatës së luftës ky person nuk figuron të jetë. Kemi shumë raste që luftëtarë të lirisë nuk kanë aplikuar fare për këtë status edhe pse kanë qenë në luftë. Jemi interesuar që nga mbrëmë, jemi angazhuar në Pejë, ku ky person është nga ai vend, kemi komunikuar me ta mos rastësisht e kanë njohur këtë person në luftë”, tha Syla.

Ai tha se askush nga ish-luftëtarët nuk e njeh si pjesë të luftës.

“Nuk ka dikush prej luftëtarëve të lirisë që thotë se kam qenë bashkë diku me të dhe e konstatojmë që ky person nuk ka qenë fare në UÇK. Sa herë të arrestohet një luftëtar në Serbi arrestohet me këto akuza, por kemi një bashkëluftëtar tonin që është Nezir Mehmetaj, i cili ka bërë katër-pesë vjet në burg me gjasë është i dënuar kinse për vepra penale që ka kryer gjatë luftës. E kemi edhe policin e njësisë speciale. Kjo qasje e Serbisë nuk është duke ndodhur tani, po ndodh kur lufta e armatosur ka përfunduar dhe Serbia e ka vazhduar avazin e vet, të na atakojë, ku ka pasur mundësi”, tha Syla.

Ai paralajmëroi qytetarët, veçanërisht ata me status të veteranit, që të shmangin udhëtimet në Serbi për shkak të rrezikut të arrestimeve arbitrare nga autoritetet serbe.

“Ne kemi thirrje për të gjithë qytetarët e vendit tonë që kanë kontribuar për lirinë e vendit dhe aq më shumë për luftëtarët e Kosovës, të cilët gëzojnë këtë status dhe janë nëpër listat e veteranëve, të mos kalojnë nga shteti serb, sepse ky shtet prapë po shfaq armiqësi ndaj shtetit tonë. Mos e bëni një gabim të tillë, sepse mund të jetë fatal”, shtoi ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi