Armenia dhe Azerbajxhani nënshkruajnë “udhërrëfyesin” e paqes gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë.
Vendet e Kaukazit Jugor, Armenia dhe Azerbajxhani, nënshkruan sot një “udhërrëfyes” paqeje, që sipas presidentit amerikan Donald Trump synon t’i japë fund konfliktit disadekadësh, raporton Anadolu.
Presidenti Trump tha se me nënshkrimin e marrëveshjes, të dyja vendet “angazhohen të ndalin përgjithmonë çdo luftim, të hapin tregtinë, udhëtimin dhe marrëdhëniet diplomatike, si dhe të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit”.
“Me këtë marrëveshje, më në fund kemi arritur të vendosim paqen”, u tha Trump gazetarëve në Sallën e Darkave Shtetërore, ku ishte i shoqëruar nga presidenti azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan.
Një nga komponentët kryesorë të marrëveshjes është zhvillimi i asaj që quhet Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar (TRIPP), e cila do të lidhë Azerbajxhanin kontinental dhe enklavën e tij, Republikën Autonome të Nakhçivanit.
Do të kalojë nëpër territorin armen në atë që Trump e përshkroi si “një partneritet ekskluziv me Shtetet e Bashkuara për të zhvilluar këtë korridor, i cili mund të shtrihet deri në 99 vjet”.
“Ne parashikojmë zhvillim të konsiderueshëm të infrastrukturës nga kompanitë amerikane. Ato mezi presin për të hyrë në këto dy vende dhe do të shpenzojnë shumë para, shumë para, të cilat do t’u sjellin dobi ekonomikisht të tri vendeve tona”, tha ai. “Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv për të ardhmen e të gjithë rajonit”, shtoi Trump.
Trump tha se si pjesë e marrëveshjes, SHBA-ja do të heqë kufizimet në bashkëpunimin e mbrojtjes të SHBA-së me Azerbajxhanin.
Nga ana e tij, Aliyev përshëndeti e quajti “ditë historike” nënshkrimin e marrëveshjes.
“Ne sot po vendosim paqen në Kaukaz, e cila do të hapë mundësi të mëdha, jo vetëm për rajonin tonë”, tha ai. “Jam i sigurt se Armenia dhe Azerbajxhani do të gjejnë guximin dhe përgjegjësinë për t’u pajtuar, dhe gjithashtu popujt do të pajtohen. Ne do ta kthejmë faqen e përballjes së ashpër dhe gjakderdhjes dhe do të sigurojmë të ardhme të ndritur dhe të sigurt për fëmijët tanë”, shtoi ai.
Ndërkaq, Pashinyan tha se udhëheqësit po shënojnë një “epokë të re të bazuar në respektin e plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit”.
“Deklaratat e sotme, të cilat presidenti Trump do t’i nënshkruajë personalisht si dëshmitar, japin besim dhe siguri se po hapim një kapitull paqeje, prosperiteti, sigurie dhe bashkëpunimi ekonomik në Kaukazin Jugor”, tha ai.
Në një deklaratë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, gjithashtu përshëndeti “marrëveshjen historike të paqes”.
“Presidenti Trump i bashkoi këto palë dhe ndërmjetësoi një marrëveshje që i jep fund dekadave të konfliktit”, tha ai.
“Kjo është një mundësi për të dy vendet që të ecin përpara dhe të përqendrohen në zhbllokimin e potencialit ekonomik të rajonit të Kaukazit Jugor, i cili do të sjellë marrëveshje tregtare dhe prosperitet për popullin amerikan dhe si për Armeninë, ashtu edhe për Azerbajxhanin”, shtoi ai.
Shtëpia e Bardhë më parë e përshkroi TRIPP-in si një “zonë tranziti multimodale” që lidh Azerbajxhanin dhe Republikën Autonome të Nakhçivanit në perëndim nëpërmjet territorit armen.
Propozimet e mëparshme për të zgjidhur konfliktin përfshinin një rrugë midis Nakhçivanit dhe Azerbajxhanit kontinental të njohur si “Korridori i Zangezurit”.
Negociatat se kush do ta operojë rrugën pritet të fillojnë në mesin e javës së ardhshme, dhe një zyrtar i lartë i administratës ka thënë se deri më tani, nëntë operatorë potencialë kanë shprehur interes, përfshirë tri firma amerikane.
Grupet e punës pritet të nisin menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për të sqaruar detajet e “udhërrëfyesit” gjatë muajve të ardhshëm.
Udhëheqësit gjithashtu nënshkruan një letër të përbashkët duke i kërkuar Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të shpërbëjë Grupin e Minskut, një organizatë ndërmjetësimi e bashkëkryesuar nga SHBA-në, Rusia dhe Franca për të zgjidhur konfliktin midis vendeve.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar një sërë luftrash ndërkufitare që nga fundi i viteve 1980, përfshirë edhe më të fundit në vitin 2023 kur Azerbajxhani rimorri territorin e Karabakut.