Arabia Saudite për sulmet izraelite: Jemi të indinjuar nga agresioni ndaj Iranit vëllazëror, kjo është e neveritshme

Mbretëria e Arabisë Saudite dënoi ashpër sulmin e mëngjesit të sotëm nga Izraeli në territorin e Republikës Islamike të Iranit, gjatë të cilit janë vrarë disa zyrtarë të lartë ushtarakë dhe persona të përfshirë në programin bërthamor iranian.

“Mbretëria e Arabisë Saudite shpreh dënimin e fuqishëm dhe indinjatën për agresionin e qartë izraelit ndaj Republikës Islamike të Iranit, një vend vëllazëror, i cili cenon sovranitetin dhe sigurinë e tij dhe përbën shkelje të qartë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite.

Arabia Saudite thekson se sulme të tilla rrezikojnë të destabilizojnë edhe më shumë situatën tashmë të brishtë të sigurisë në rajon dhe bën thirrje për një ndërhyrje të menjëhershme ndërkombëtare.

“Ndërkohë që Mbretëria dënon këto sulme të neveritshme, ajo njëkohësisht konfirmon se bashkësia ndërkombëtare, dhe në veçanti Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka përgjegjësi të madhe për të ndalur menjëherë këtë agresion,” thuhet nga Riadi.

Arabia Saudite apelon për përmbajtje nga të gjitha palët dhe bën thirrje për respektimin e së drejtës ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget një valë e re dhune.

Kategoritë
BotaLajme