Arabia Saudite: Nëse KS-OKB dështon të ndalojë sulmet e Izraelit, kjo mund të shkaktojë pasoja të tmerrshme

“Dënojmë me termat më të forta dhe më të fuqishme vendimin e marrë nga administrata pushtuese izraelite për të pushtuar Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme saudite

Arabia Saudite paralajmëroi se nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) nuk arrin të ndalojë sulmet dhe shkeljet e Izraelit në Gaza, kjo mund të çojë në pasoja të tmerrshme, transmeton Anadolu.

Ministria e Jashtme saudite reagoi me një deklaratë me shkrim ndaj vendimit të Izraelit për të pushtuar Gazën.

“Dënojmë me termat më të forta dhe më të fuqishme vendimin e marrë nga administrata pushtuese izraelite për të pushtuar Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratën në të cilën dënohet gjithashtu uria e imponuar nga ushtria izraelite ndaj popullit palestinez dhe krimet e spastrimit barbar etnik që vazhdon në Gaza.

Duke vënë theksin se populli palestinez është pronar i atyre tokave sipas ligjit ndërkombëtar, deklarata bën të ditur se “Idetë dhe vendimet çnjerëzore të miratuara nga autoritetet pushtuese izraelite paraqesin paaftësinë e tyre për të kuptuar lidhjet historike dhe emocionale që populli palestinez ka me këto toka”.

Më tej deklarata paralajmëron se dështimi i komunitetit ndërkombëtar dhe i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndaluar menjëherë sulmet dhe shkeljet e Izraelit mund të minojë themelet e rendit dhe legjitimitetit ndërkombëtar dhe të shkaktojnë pasoja të tmerrshme si gjenocidi dhe zhvendosja me forcë.

“Krimet e pafundme të Izraelit e bëjnë të domosdoshme që komuniteti ndërkombëtar të marrë qëndrime parandaluese dhe efektive për t’i dhënë fund katastrofës humanitare që po përjeton populli ynë vëllazëror palestinez”, theksohet në deklaratë.

Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi një plan të ri që parashikon pushtimin e qytetit të Gazës i cili ndodhet në veri të Rripit të Gazës. Në një intervistë për “Fox News” para mbledhjes së kabinetit, Netanyahu tha se synojnë të marrin nën kontroll të gjithë Gazën.

Kategoritë
BotaLajme