Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, shkruan se “Dy anijet të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë të përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në det”
Dy anijet të Forcës Detare të Shqipërisë i janë bashkuar operacioneve për shuarjen zjarrit në tragetin që lundronte nga Greqia në Itali dhe që u përfshi nga zjarri të enjten.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, shkruan se “Dy anijet të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë të përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në det”.
“Fillimisht zjarri ka rënë jashtë ujërave tona territoriale, por tashmë operacioni po kryhet në ujërat tona territoriale, 5 milje larg Porto Palermos. Në operacionin që po drejtohet nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e Forcës sonë Detare, Butrinti dhe ajo patrulluese R-117”, shkruan Peleshi.
Sipas Peleshit, më herët pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit janë evakuuar nga anija.
Kujtojmë se zjarri shpërtheu në tragetin “Euroferry Olympia” pak pasi para agimit u nis nga porti Gumenica në Greqinë veriperëndimore për në portin italian të Brindisit. Në traget ishin 233 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit.