Anija me qindra tonë ndihma po mbërrin në një port izraelit, donatori më i madh janë Emiratet e Bashkuara Arabe

Pas nisjes nga Qiproja, një anije e ngarkuar me 1.200 tonë furnizime ushqimore për Rripin e Gazës po i afrohet portit Ashdod në jug të Izraelit.

Anija nën flamurin panamez është ngarkuar me 52 kontejnerë që transportojnë ndihma ushqimore si makarona, oriz, ushqim për foshnja e fëmijë dhe mallra të konservuara.

Dogana izraelite kontrolloi ndihmat në portin qipriot Limassol, nga ku anija u nis të hënën.

Rreth 700 tonë ndihma vijnë nga Qiproja dhe janë blerë me paratë e dhuruara nga Emiratet e Bashkuara Arabe për fondin Amalthea, i krijuar vitin e kaluar.

Pjesa tjetër e ndihmës vjen nga Italia, një urdhër fetar katolik në Maltë dhe organizata joqeveritare kuvajtiane Al Salam Association.

Pas shkarkimit në portin izraelit, punonjësit humanitarë të OKB-së do të organizojnë transportin e ndihmave me kamionë deri në depot dhe qendrat ushqimore që menaxhohen nga World Central Kitchen, një organizatë jofitimprurëse që ka shpërndarë ndihma në Gaza.

Qiproja vitin e kaluar ishte pika e nisjes për 22.000 tonë ndihma të dorëzuara me anije direkt në Gaza, përmes një terminali të menaxhuar nga World Central Kitchen dhe një objekti ushtarak amerikan të njohur si Sistemi i Përbashkët Logjistik Bregdetar.

Kategoritë
BotaLajme