Analiza ka vërtetuar një sërë dështimesh të Shërbimit Sekret gjatë atentatit ndaj Donald Trumpit

Raporti i Senatit amerikan, i publikuar dje, tregon se një sërë dështimesh i mundësoi sulmuesit të armatosur të qëllojë ndaj Donald Trumpit gjatë një tubimi parazgjedhor vitin e kaluar.

Raporti u publikua një vit pas atij episodi, kur një sulmues 20-vjeçar i armatosur hapi zjarr ndaj Trumpit në qytetin Butler të Pensilvanisë.

“Kjo nuk ishte një gabim i vetëm. Ishte një varg dështimesh që mund të ishin parandaluar, dhe që thuajse i kushtuan jetën presidentit Trump,” thuhet në raportin e Komitetit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare.

Shërbimi Sekret është përgjegjës për mbrojtjen e presidentëve aktualë dhe atyre të mëparshëm, së bashku me familjet e tyre, si dhe të udhëheqësve të huaj në vizitë dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë.

“Kjo nuk ishte vetëm një vlerësim i pasaktë. Ishte një kolaps total i sigurisë në të gjitha nivelet – nxitur nga indiferenca burokratike, mungesa e protokolleve të qarta dhe refuzimi tronditës për të vepruar ndaj kërcënimeve të drejtpërdrejta,” deklaroi në një kumtesë udhëheqësi republikan i komitetit, senatori Rand Paul nga Kentucky.

Kimberly Cheatle dha dorëheqjen nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Sekret 10 ditë pas të shtënave, në mes të një vlerësimi të ashpër të rolit të agjencisë. Gjithashtu, gjashtë agjentë të Shërbimit Sekret që ishin në detyrë gjatë tentativës së atentatit u pezulluan për periudha prej 10 deri në 42 ditë.

Drejtori aktual i Shërbimit Sekret, Sean Curran, tha në një deklaratë se agjencia ka marrë raportin dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me komitetin.

“Pas ngjarjeve të 13 korrikut, Shërbimi Sekret shqyrtoi me seriozitet operacionet tona dhe zbatoi reforma të rëndësishme për të adresuar dështimet që ndodhën atë ditë,” përfundoi Curran.

Kategoritë
BotaLajme