Analiza e Reuters-it: Irani de facto kontrollon Hormuzin: Anijet kalojnë, por me leje, inspektime dhe tarifa ndaj Teheranit

Irani ka vendosur një sistem kompleks kontrolli për kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës, raportoi Reuters në një raport të gjerë hulumtues.

Sipas kësaj agjencie, Teherani tani praktikisht menaxhon kalimin nëpër ngushticë përmes pikave ushtarake të kontrollit, marrëveshjeve diplomatike me shtete të ndryshme dhe kontrolleve të detajuara të sigurisë për anijet, ndërsa disa burime pretendojnë se në raste të caktuara aplikohen edhe tarifa të larta për kalim të sigurt.

Në qendër të raportit të Reuters ndodhet tankeri “Agios Fanourios I”, me gjatësi 330 metra, i cili transportonte naftë bruto irakiane drejt Vietnamit.

Anija ishte bllokuar në fund të prillit pranë brigjeve të Dubait dhe vetëm më 10 maj mori leje për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit pas një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Irakut, proces që sipas burimeve të Reuters ishte mbikëqyrur nga kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani.

Gjatë kalimit, tankeri duhej të ndiqte itinerarin e përcaktuar nga autoritetet iraniane, duke lëvizur përgjatë bregdetit dhe duke kaluar nëpër disa pika kontrolli në ishujt iranianë.

Reuters raporton se pranë ishullit Hormuz, anija u ndal përkohësisht nga pjesëtarë të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) me anije të shpejta, për shkak të dyshimeve për kontrabandë të ngarkesës.

Pas një inspektimi që zgjati disa orë, tankeri mori leje të vazhdonte rrugën.

Kalimi, që zakonisht zgjat rreth pesë orë, u shndërrua në një operacion që zgjati dy ditë.

Sipas Reuters, Irani ka krijuar një sistem shumë-shtresor për miratimin e kalimit nëpër ngushticë.

Përparësi u jepet anijeve të lidhura me vende aleate si Rusia dhe Kina, më pas vendeve me marrëdhënie të afërta me Teheranin, si India dhe Pakistani, ndërsa të tjerët përpiqen të sigurojnë kalimin përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta shtetërore.

Departamenti Amerikan i Thesarit ka paralajmëruar kompanitë dhe shtetet se pagesa ndaj Iranit për kalim të sigurt mund të konsiderohet shkelje e sanksioneve amerikane.

Reuters, duke cituar burime evropiane të industrisë detare, shkruan se disa anije paguajnë më shumë se 150 mijë dollarë për të siguruar kalimin nëpër Hormuz.

Zyrtarët iranianë deklarojnë se bëhet fjalë për tarifa sigurie dhe navigimi, por nuk kanë publikuar shuma konkrete.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet pikë kyçe për tregtinë botërore të energjisë, pasi përmes saj kalon afërsisht një e pesta e furnizimit global me naftë.

Për shkak të luftës dhe kontrollit të shtuar iranian, sipas të dhënave të ushtrisë amerikane të cituara nga Reuters, në fillim të majit rreth 1.500 anije me afërsisht 22.500 marinarë mbetën të bllokuara në Gjirin Persik.

Ndërkohë, marina amerikane ka vendosur bllokadën e saj ndaj anijeve dhe ngarkesave iraniane jashtë ngushticës.

Reuters shkruan se tankeri “Agios Fanourios I”, pasi doli nga ujërat iraniane, u ndal sërish nga ushtria amerikane, e cila për gjashtë ditë kontrolloi dokumentacionin e anijes para se t’i lejonte të vazhdonte drejt Vietnamit.

Sipas të dhënave të kompanisë amerikane SynMax Intelligence, të cituara nga Reuters, midis 18 prillit dhe 6 majit, nëpër Hormuz kaluan më pak se 60 anije, ndërsa para fillimit të konfliktit kalonin 120–140 anije në ditë, ku afërsisht gjysma ishin tankerë nafte.

Reuters shton se Irani kërkon nga kompanitë detare të dhëna të detajuara për ekuipazhin, pronarët, ngarkesën, flamurin e anijes dhe itinerarin, ndërsa i gjithë procesi i verifikimit menaxhohet nga Garda Revolucionare në bashkëpunim me institucione të tjera shtetërore iraniane.

Disa marinarë që kanë kaluar nëpër ngushticë e përshkruan situatën si shumë të rrezikshme, duke deklaruar se anijet patrulluese iraniane i shoqëronin anijet përmes zonave me mina dhe jepnin urdhra të rreptë për fikjen e sistemeve të komunikimit dhe respektimin e rrugëve të përcaktuara paraprakisht.

Kategoritë
BotaLajme