Anthony Aguilar, një mercenar amerikan dhe ish-anëtar i Beretave të Gjelbra, ndau një ngjarje tronditëse nga Gaza, ku forcat izraelite vranë një fëmijë të uritur palestinez pak pasi ai mori ndihmat humanitare.
Aguilar, i cili ka punuar me Fondacionin Amerikan-Izraelit për Ndihma Humanitare në Gaza (GHF), rrëfeu krimin në një intervistë. Ai përshkroi takimin me një djalë të vogël me emrin Amir në pikën e shpërndarjes së ndihmave më 28 maj.
“Në pikën e sigurt të shpërndarjes nr. 2, ky djalosh, Amir, iu afrua, i zbathur dhe me rroba të grisura që i binin mbi trupin e tij të dobët. Më puthi dorën dhe na falënderoi – gjithçka që kishte ishte gjysma e një çante me oriz dhe thjerrëza,” tregoi Aguilar.
Sipas Aguilar, Amir kishte ecur 6 kilometra vetëm për të ardhur në pikën e ndihmës.
“Ai uli pak nga ushqimi dhe me duart e tij të brishta, skeletore, na falënderoi për pakun që mori,” tha ai.
Fatkeqësisht, pak çaste pas marrjes së ndihmës, Amir u qëllua.
“Ndërsa po kthehej te turma, forcat izraelite filluan të qëllonin me gaz lotsjellës, bomba shokuese dhe plumba në drejtim të mbledhjes. Amir ishte ndër të goditurit. Ai vrapoi, por ata vazhduan të qëllonin dhe ai nuk ia doli,” rrëfeu Aguilar.
Fondacioni për Ndihma Humanitare në Gaza është vënë nën vëzhgim nga organizatat humanitare, përfshirë OKB-në, për pretendimet se shpërndarja e ndihmave përdoret për të fshehur operacione të dhunshme.
Kritikët kanë akuzuar mercenarët izraelitë dhe amerikanë se përpjekjet për ndihma janë shndërruar në “ekzekutime masive”.
Raporti i Aguilarit forcon thirrjet për hetime ndërkombëtare mbi praktikat e shpërndarjes së ndihmave në Gaza, ndërsa kushtet humanitare përkeqësohen dhe numri i viktimave civile rritet.
Organizata globale për vlerësimin e sigurisë ushqimore (IPC) ka paralajmëruar se në Gaza po përhapej uria, ndërsa Izraeli vazhdon rrethimin dhe bllokimin e ndihmave humanitare.
“Pragjet e urisë janë arritur për konsumin e ushqimit në një pjesë të madhe të Rripit të Gazës dhe për kequshqyerjen akutë në qytetin e Gazës,” ka paralajmëruar IPC.
Izraeli ka vrarë mbi 1,000 palestinezë të mbledhur për të marrë ushqime dhe nevoja bazë. Mbi 60,000 civilë janë vrarë nga forcat izraelite në Gaza që nga 7 tetori 2023.