Administrata e Donald Trump-it nuk e ka marrë seriozisht në konsideratë operacionin e hedhjes ajrore të ndihmave për Gazën, duke e vlerësuar si një opsion jorealist. Hedhjet ajrore nuk mund të përmbushin as për së afërmi nevojat e 2,1 milionë palestinezëve, shkruan Reuters, duke cituar burime.
Kjo ndodh edhe pse aleatë të afërt të SHBA-së, përfshirë Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Britaninë e Madhe, po kryejnë misione hedhjeje ajrore ndihmash për Gazën.
Grupet humanitare prej kohësh i kanë kritikuar hedhjet ajrore si më shumë simbolike sesa vërtet efektive, kur shkalla e nevojave në Gaza kërkon korridore tokësore të hapura për të futur sasi të mëdha ndihmash në enklavë. Paketat e rënda mund të paraqesin gjithashtu rrezik për civilët në terren që nxitohen drejt ndihmave me parashutë.
“Thjesht nuk ka qenë pjesë e diskutimeve,” tha një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti për të përshkruar diskutimet e brendshme të administratës së Trump-it.
Një burim i njohur me çështjen tha: “Nuk është marrë seriozisht sepse, në këtë moment, nuk është një opsion serioz.” Disa zyrtarë amerikanë e shqyrtuan këtë mundësi dhe e konsideruan “absolutisht jorealiste”, shtoi burimi. Nuk dihet sa “kapacitet ngritjeje të madhe” do të mund të menaxhohej edhe nëse izraelitët do të miratonin përdorimin e hapësirës së tyre ajrore.
Një burim diplomatik, duke folur në kushte anonimiteti, tha se nuk është në dijeni për ndonjë interes të SHBA-së për t’u përfshirë në përpjekjet e hedhjeve ajrore. Një zyrtar në një vend aleat të SHBA-së që merr pjesë në këto misione tha se nuk ka pasur bisedime me Uashingtonin për pjesëmarrjen e tij dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk ofrojnë mbështetje logjistike për hedhjet ajrore të kryera nga vende të tjera.
I pyetur për koment, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se administrata është e hapur ndaj “zgjidhjeve kreative” për problemin. “Presidenti Trump ka bërë thirrje për zgjidhje kreative ‘për të ndihmuar palestinezët’ në Gaza. Ne mirëpresim çdo përpjekje efektive që dërgon ushqim për banorët e Gazës dhe parandalon që ai të përfundojë në duart e Hamasit,” tha zyrtari.
Izraeli në fund të korrikut filloi të lejojë hedhjet ajrore të ushqimit, teksa shqetësimi global për pasojat humanitare në Gaza po rritej.