Ambasadori grek u largua nga inaugurimi në Shkup pasi presidenti i ri e quajti vendin “Maqedoni”

Gordana Siljanovska u inaugurua si presidente e Maqedonisë së Veriut në seancën e Kuvendit, ku e quajti vendin “Maqedoni”.

“Deklaroj se funksionin e presidentit të Maqedonisë do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi”, tha Siljanovska.
Ambasadorja greke në këtë vend, Sofia Philippidou është larguar nga seanca në shenjë proteste, në përputhje me direktivën e Ministrisë së Jashtme greke.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi më parë Shkupin pas zgjedhjeve që të respektojë Marrëveshjen e Prespës.

Kujtojmë se në vitin 2018, Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin e saj në emrin aktual dhe nënshkroi një marrëveshje me Greqinë, që mban emrin e liqenit që ndajnë këto dy vende.

Me këtë marrëveshje u zgjidh një çështje dekadash dhe së bashku me marrëveshjen me Bullgarinë e nënshkruar në vitin 2017, u hap rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Një vit më pas, Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s dhe popullata priste një hapje të shpejtë të negociatave me Bashkimin Evropian.

Optimizmi u “shua” papritur në vitin 2020, kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të lidhura mirë në rrugën e BE-së me këtë vend, morën një “shuplakë” nga BE-ja. Franca, edhe pse jo publikisht, kundërshtoi zgjerimin aktual të Bashkimit Evropian dhe Bullgaria vuri veton ndaj hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut për shkak të statusit të bullgarëve në këtë vend.

Katër vjet pas këtyre ngjarjeve, maqedonasit qartësisht nuk besojnë më në rrugën e vendit të tyre në BE, ndaj pritej zgjedhja e partisë VMRO-DPMNE.

Kjo parti, e cila është e orientuar drejt së djathtës, ka pikëpamje që mund të quhen euroskeptike.  Kryeministri i ri dhe lideri i partisë Kristijan Mickoski deklaroi se gjatë qeverisjes së tij bullgarët nuk do të njiheshin si pakicë kombëtare dhe se do të insistonte në përdorimin e emrit “Maqedoni”, gjë që shkaktoi reagim të ashpër nga autoritetet në Greqi.

Nga ana tjetër, Siljanovska në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale mundi bindshëm presidentin aktual Steva Pendarovski me 68,94 për qind të votave.

Kategoritë
LajmeRajoni