Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet ta zgjasë periudhën e tranzicionit për vendimin e BQK-së për katër muaj, njëjtë sikur kishte ndodhur me kampanjën për liberalizimin e vizave.
Ai ka përmendur periudhën 4 mujore që është zbatuar në këtë proces, për të cilën ka thënë se është nevoja tani.
Rohde ka thënë se Kosova ka treguar se di se si të komunikojë në mënyrën e duhur dhe se kjo është ajo çfarë duhet tani.
“Kolegu im nga Bashkim Evropian Tomas Szunyog e thotë qartë pse na duhet një periudhë mjaft e gjatë tranzicioni dhe informimi për rregulloren e BQK-së. Me fushatën e saj 4 mujore përpara liberalizimit të vizave, qeveria e Kosovës ka treguar se di të komunikojë siç duhet. Ne kemi nevojë për atë përsëri tani!”, ka shkruar ambasadori gjerman.
Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, teksa Qeveria u përball me kritika të shumta nga ndërkombëtarët.
Pikërisht për këtë çështje u mbajt dje edhe një seancë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Kosova u kritikua për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe për mospërfillje të ndikimit të saj te minoriteti serb në Kosovë. Megjithatë, ajo u vlerësua për periudhën e tranzicionit që ka premtuar për zbatimin e kësaj rregulloreje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Rregullorja e Bankës qendrore nuk e kufizon mbështetjen financiare të Serbisë për serbët që jetojnë në Kosovë.
Ai tha se Beogradi ka ngritur alarm jo për shkak të këmbimit të dinarit në euro, por për shkak se po ndalohen thasë me dinarë në kufij.