Ambasadorët e vendeve të huaja morën pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila për herë të 52-të dështoi të sjellë rezultat.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se erdhën me shpresë të madhe për një ndryshim, por asgjë nuk ndodhi. Ai theksoi se krijimi i institucioneve është domosdoshmëri urgjente për Kosovën.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, tha Orav.
Ndërsa Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, kritikoi ashpër klasën politike për dështimin dhe zhgënjimin që po i shkaktojnë qytetarëve
“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, tha ai.
Kjo është seanca e 52-të që dështoi të konstituojë Kuvendin e Kosovës, duke thelluar krizën politike në vend.