Ambasada e Gjermanisë: Moskonstituimi i Kuvendit po dërgon sinjale të gabuara te partnerët në NATO dhe BE

Gjermania është shprehur e shqetësuar lidhur me situatën politike në Kosovë.

Ambasada gjermane në Prishitnë përmes një përgjigje për Klankosova.tv ka thënë se bllokimi me rastin e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës jo vetëm që po e vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës, por edhe po rrezikon progresin dhe besueshmërinë për të cilën Kosova ka punuar me vite.

“Për më tepër, duke mos ecur përpara me formimin e një Kuvendi funksional, ky bllokim pengon drejtpërdrejt Kosovën të ndërmarrë hapat e ardhshëm drejt integrimit euroatlantik, duke dërguar sinjalin e gabuar te partnerët në NATO dhe Bashkimin Evropian”, deklaroi Christian Bottcher, zëvendësshef i misionit në Kosovë.

Bottcher theksoi se udhëheqësit politikë duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për t’i dhënë fund kësaj krize.

“Në javët e ardhshme ata duhet të bien dakord për konstituimin e Kuvendit – duke filluar me zgjedhjen e një Kryetari dhe Zëvendëskryetarëve – dhe të ofrojnë një lidership të qëndrueshëm të bazuar fort në Kushtetutë. Qytetarët e Kosovës meritojnë zyrtarë të zgjedhur që veprojnë me vendosmëri dhe në interesin e tyre më të mirë, në vend që të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për të zgjidhur një bllokim që vetëm politika mund ta thyejë”, u shpreh ai për Klankosova.tv.

Ai shtoi se në arritjen e një kompromisi mund të luajë rol edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

“Ne gjithashtu besojmë se Presidenti i Kosovës mund të luajë një rol kyç në thirrjen e bisedimeve ndërpartiake dhe në udhëzimin e të gjitha palëve drejt kompromisit. Lidershipi presidencial në deeskalimin dhe ndërtimin e konsensusit do të ndihmonte në rivendosjen e besimit dhe momentumit në procesin demokratik”.

Gjermania mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për zhvillimin demokratik të Kosovës.

Ne jemi të gatshëm të punojmë me Qeverinë e ardhshme të Kosovës për të çuar përpara ambiciet euroatlantike të saj.

Nga 27 korriku e deri më 8 gusht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masën e pezullimit duke ua ndaluar deputetëve të betuar çdo hap në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo pasi që as pas caktimit të afatit prej 30 ditësh, nuk u arrit formimi i legjislaturës së nëntë.

Për konstituimin e Parlamentit janë mbajtur 54 seanca, por asnjëra nga ta nuk dha rezultat.

Kategoritë
BotaLajme