Albanese i kundërpërgjigjet von der Leyen: “Vonë, shumë pak, Izraelit ia lejuat të shkatërrojë Gazën pa pasoja”

Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për territoret e pushtuara palestineze, reagoi ashpër ndaj deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila sot theksoi se “popullata civile nuk mund të jetë objektiv” dhe se “vuajtjet e civilëve në Gaza duhet të përfundojnë tani”. Në përgjigjen e saj në platformën X, Albanese nënvizoi se fjalët e vetme nuk mjaftojnë për të ndaluar Izraelin në misionin e tij gjenocidal.

“Shumë pak, tepër vonë, zonja presidente von der Leyen. Pasi i dhatë Izraelit 21 muaj ‘kalim të lirë’ në Gaza, do të nevojiten më shumë se fjalë për të penguar përmbushjen e misionit të tij gjenocidal dhe fushatën e hapur të pastrimit etnik. E edhe më shumë për të rivendosur atë që ka mbetur nga kredibiliteti i BE-së,” shkroi Albanese.

Me këtë mesazh, ajo vuri në pah pasivitetin disa mujor dhe mungesën e veprimeve konkrete të Brukselit, duke akuzuar udhëheqësit evropianë se kanë mbyllur sytë ndaj vrasjeve masive dhe katastrofës humanitare në Rripin e Gazës, ndërsa vazhdojnë ta mbështesin diplomatikisht dhe ekonomikisht Izraelin.

Më herët sot, Ursula von der Leyen deklaroi se civilët në Gaza nuk mund të jenë kurrë objektiv:

“Civilët nuk mund të jenë objektiv. Kurrë. Imazhet nga Gaza janë të papranueshme. BE riafirmon thirrjen për kalim të lirë, të sigurt dhe të shpejtë të ndihmave humanitare, si dhe për respektim të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe të humanizmit. Civilët në Gaza vuajnë prej shumë gjatë. Kjo duhet të ndalojë tani. Izraeli duhet të përmbushë premtimet e veta.”

Ndërsa Bashkimi Evropian intensifikon thirrjet për armëpushim dhe respektim të ligjit ndërkombëtar, shumë vëzhgues dhe zyrtarë, përfshirë përfaqësuesit e OKB-së, vlerësojnë se reagimi evropian erdhi tepër vonë dhe se ndikimi i tij në dinamikën e luftës është komprometuar nga qëndrimet e paqarta dhe vonesat politike.

Kategoritë
BotaLajme