Lodrat Labubu, të cilat kanë fituar popullaritet të madh në mbarë botën, janë përballur me një valë kopjesh të rreme që kanë pushtuar tregun. Për shkak të rrezikut që paraqesin për sigurinë e fëmijëve dhe shëndetin e konsumatorëve, shumë shtete kanë filluar të marrin masa urgjente.
Figurina Labubu u krijuan nga artisti me origjinë nga Hong Kongu, Kasing Lung, në vitin 2015 dhe që nga viti 2019 prodhohen nga kompania Pop Mart. Falë reklamimit nga yje botërorë si Rihanna, Lisa (BlackPink), Kim Kardashian dhe David Beckham, Pop Mart theu rekord në gjysmën e parë të këtij viti duke gjeneruar të ardhura mbi 1,9 miliardë dollarë.
Rrezik nga kopjet “Lafufu”
Shtimi i famës ka sjellë edhe shpërndarjen e kopjeve të rreme, të njohura si “Lafufu”, të cilat, sipas autoriteteve, mund të përmbajnë substanca kimike të rrezikshme dhe të paraqesin rrezik mbytjeje për fëmijët.
-
Britania e Madhe: Instituti i Standardeve të Tregtisë konfiskoi mijëra produkte të rreme dhe hapi hetime për rrjete kriminale të organizuara.
-
Qipro: Autoritetet sekuestruan mbi 1.300 Labubu të falsifikuar.
-
SHBA: Komisioni i Sigurisë së Produkteve të Konsumit paralajmëroi veçanërisht për fëmijët nën moshën 3 vjeç, duke njoftuar sekuestrimin e mijëra lodrave nëpër porte.
-
Turqia: Në Aeroportin “Sabiha Gökçen” në Stamboll u sekuestruan 132 lodra kontrabandë.
Kina, në ofensivë
Kina është vendi që ka ndërmarrë fushatën më të gjerë: vetëm në muajin qershor u sekuestruan mbi 200 mijë lodra të rreme, ndërsa në korrik çdo ditë ndaloheshin me dhjetëra mijëra të tjera.
Ndërkohë, dega e Pop Mart në Singapor ka paditur zinxhirin e supermarketeve 7-Eleven në një gjykatë federale në Kaliforni, duke e akuzuar për shitjen e produkteve të falsifikuara.