Aktivisti brazilian nga anija për Gazën fillon grevë urie në paraburgimin izraelit

Aktivisti brazilian Thiago Ávila, i cili u arrestua në bordin e anijes Madleen ndërsa lundronte drejt Gazës, ka nisur një grevë urie dhe etjeje, bëri të ditur të martën organizata izraelite për të drejtat e njeriut dhe qendra ligjore Adalah.

Forcat izraelite e sekuestruan anijen në ujërat ndërkombëtare të hënën herët në mëngjes, duke arrestuar 12 aktivistë nga disa vende, të cilët po përpiqeshin të dërgonin ndihma humanitare në Rripin e Gazës me qëllim të sfidimit të bllokadës izraelite.

Ndër aktivistët e ndaluar kishte shtetas nga Brazili, Franca, Holanda, Gjermania, Suedia, Spanja dhe Turqia.

Katër aktivistë u deportuan nga Izraeli të martën, përfshirë aktivisten e njohur për klimën Greta Thunberg, ndërsa tetë të tjerë, që refuzuan të nënshkruanin urdhër-deportimin, mbetën të paraburgosur në burgun Givon në Ramla, Izrael.

Këta tetë aktivistë u paraqitën të martën në gjykatën e paraburgimit në Ramla, përballë urdhrave të deportimit të lëshuara nga Ministria e Brendshme izraelite, sipas Adalah.

Ekipi juridik i Adalah-ut, i përbërë nga avokatet Hadeel Abu Saleh, Lubna Toma dhe vullnetarja Afnan Khalifa, argumentoi gjatë seancës pesë-orëshe se ndalimi i anijes Madleen nga Izraeli ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, pasi anija ishte pjesë e Koalicionit të Flotës së Lirisë, që synon të thyejë bllokadën ndaj Gazës.

Ata theksuan se aktivistët u detyruan me forcë të sillen në Izrael nga ujërat ndërkombëtare dhe u etiketuan padrejtësisht si “infiltrues të paligjshëm”, pa asnjë bazë ligjore.

Avokatët dënuan bllokadën izraelite ndaj Gazës si një akt të paligjshëm të ndëshkimit kolektiv, që ka për qëllim urinë e popullsisë civile, duke shkelur edhe masat e përkohshme të urdhëruara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin për gjenocid të iniciuar nga Republika e Afrikës së Jugut kundër Izraelit.

Ata deklaruan se aktivistët kanë vepruar brenda të drejtave të tyre ligjore duke shpërndarë ndihmë humanitare për popullsinë e Gazës, e cila përballet me kërcënimin e urisë masive.

Ekipi juridik kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të aktivistëve, si dhe kthimin e tyre në bordin e anijes Madleen për të vazhduar misionin humanitar dhe për t’u kthyer më pas në vendet e tyre.

Ata argumentuan se Izraeli nuk ka juridiksion për ndalimin, pasi ndalimi u krye në ujëra ndërkombëtare, duke e bërë kështu paraburgimin dhe urdhrat e deportimit të paligjshëm.

Aktivistët e ndaluar deklaruan se janë “rrëmbyer” dhe sjellë me forcë në Izrael, duke theksuar se qëllimi i tyre ishte vetëm thyerja e bllokadës izraelite dhe dërgimi i ndihmës për banorët e Gazës. Ata gjithashtu u ankuan për kushtet e mjerueshme në paraburgim, përfshirë prani insektesh dhe mungesë uji të pijshëm.

Autoritetet izraelite kanë kërkuar nga gjykata që aktivistët të mbahen në paraburgim deri në deportimin e tyre, sipas Ligjit izraelit për Hyrjen, i cili lejon mbajtjen deri në 72 orë për personat që refuzojnë largimin vullnetar.

Qendra Adalah përsëriti thirrjen për lirimin urgjent të aktivistëve dhe kthimin e tyre në vendet e tyre të origjinës, ndërsa vendimi i gjykatës pritet së shpejti.

Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë të përgjakshme në Gaza, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim. Deri më tani, janë vrarë gati 55.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë.

Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi në nëntor urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli po ashtu përballet me një padie për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme