Anija “Handala”, që po transportonte qumësht për foshnja, ushqim dhe ilaçe, u kap nga forcat izraelite pranë bregdetit të Gazës të shtunën në mbrëmje
Aktivistët e huaj në bordin e anijes humanitare për Gazën, e kapur nga Izraeli këtë fundjavë, kanë nisur një grevë urie me kohëzgjatje të pacaktuar për të protestuar kundër ndalimit të tyre, bëri të ditur sot një qendër juridike në Izrael, transmeton Anadolu.
Anija “Handala”, që po transportonte qumësht për foshnja, ushqim dhe ilaçe, u kap nga forcat izraelite pranë bregdetit të Gazës të shtunën në mbrëmje. Në bord ndodheshin 21 civilë të paarmatosur, përfshirë deputetë, mjekë dhe vullnetarë.
“Shumica prej tyre mbeten në një grevë urie të me kohëzgjatje të pacaktuar për të protestuar kundër ndalimit të tyre me forcë”, tha në një deklaratë Qendra Ligjore Adalah.
Seanca gjyqësore për aktivistët e ndaluar është caktuar për sot në burgun Givon në Ramla, në Izraelin qendror.
“Vazhdimi i ndalimit të këtyre aktivistëve civilë, të cilët u morën me forcë nga ujërat ndërkombëtare, përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”. tha Adalah, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre përpara seancës së sotme.
Qendra gjithashtu njoftoi se pesë prej aktivistëve janë deportuar ose pritet të deportohen në orët në vijim.
Anija e ndihmave, e nisur nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë (FFC), u nis nga Italia në përpjekje për të thyer rrethimin disamujor të Izraelit ndaj Gazës, i cili ka lënë në prag urie popullsinë prej 2,4 milionë banorësh.
Në muajt e fundit, Izraeli ka ndërprerë disa anije ndihmash që po shkonin drejt Gazës në ujërat ndërkombëtare.
Në qershor, forcat izraelite kapën anijen “Madleen”, duke ndaluar 12 aktivistë ndërkombëtarë, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg dhe deputeten franceze të Parlamentit Evropian Rima Hassan. Një muaj më parë, anija “MV Conscience” u sulmua me dronë pranë Maltës.
Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Gazës për 18 vjet dhe, që nga 2 marsi, ka mbyllur të gjitha pikat kufitare, duke bllokuar hyrjen e autokolonave me ndihma dhe duke injoruar thirrjet ndërkombëtare për t’i rihapur ato.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 147 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori i vitit 2023, përfshirë 88 fëmijë.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë pothuajse 60.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesë të thellë ushqimi.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij ndaj enklavës palestineze.