Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Njësia Rajonale në Prizren, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me asistimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, si dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar më 8 gusht një aksion inspektimi në 21 auto parkingje në qytetin e Prizrenit.
Aksioni kishte për qëllim parandalimin dhe hetimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi”.
Gjatë kontrollit janë konstatuar një sërë shkeljesh:
Në të gjitha parkingjet e kontrolluara nuk janë lëshuar kuponë fiskal;
Janë identifikuar 9 punëtorë të paregjistruar;
5 parkingje nuk posedonin arka fiskale;
2 biznese të paregjistruara;
2 biznese pa kontrata qiraje.
ATK do të ndërmarrë veprimet procedurale sipas kompetencës për secilin rast, ndërsa Policia e Kosovës do të vazhdojë procedurat ligjore për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.
Policia ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë ligjin, duke kontribuar në një ambient të drejtë dhe të ligjshëm për të gjithë.