Aksion i madh në Itali: Një bandë kineze hodhi në qarkullim monedha të falsifikuara prej 2 eurosh, ekspertët të tronditur nga cilësia

Një grup mashtruesish në rajonin italian të Toskanës ka falsifikuar dhe futur në qarkullim dhjetëra mijëra monedha prej dy eurosh. Ekspertët i kanë përshkruar këto falsifikime si jashtëzakonisht të suksesshme dhe shumë të rrezikshme për ekonominë, pasi është pothuajse e pamundur të dallohen nga paratë e vërteta.

Të dyshuarit kryesorë janë tre shtetas kinezë të moshës 37, 47 dhe 51 vjeç. Ata kanë importuar në mënyrë ilegale nga Kina, përmes Gjermanisë dhe Belgjikës, komponentë për prodhimin e monedhave, nikel dhe aliazh nikeli me bronz. Më pas, monedhat montoheshin dhe përfundoheshin në dy punishte sekrete në komunën Quarrata në Toskanë.

Pas prodhimit, paratë e falsifikuara i shpërndanin në sallat e lojërave të fatit (kazino) ose i fusnin në automatet për këmbim të monedhave të imëta për të marrë në këmbim kartëmonedha të vërteta. Në këtë mënyrë, që nga nëntori i vitit të kaluar, kanë futur në qarkullim të paktën 20 mijë monedha prej dy eurosh.

Ajo që ka shqetësuar veçanërisht hetuesit është cilësia shumë e lartë e prodhimit. Falsifikatet kishin pothuajse të njëjtat karakteristika sigurie si monedhat origjinale, përfshirë peshën, dimensionet dhe vetitë magnetike. Gazeta italiane Il Fatto Quotidiano shkruan se këto monedha të falsifikuara janë “pothuajse të padallueshme”, madje edhe për ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, autorët kanë kopjuar me shumë detaje edhe motivet kombëtare të disa vendeve anëtare të eurozonës që ndodhen në pjesën e pasme të monedhave, përfshirë motivet e Francës, Sllovenisë, Greqisë, Belgjikës dhe Luksemburgut.

Policia italiane arrestoi tre shtetasit kinezë dhe u caktoi masën e paraburgimit, ndërsa edhe dy persona të tjerë, po ashtu shtetas kinezë, janë nën hetim dhe po mbrohen në liri. Të gjithë përballen me akuza serioze për organizim kriminal dhe falsifikim të parave.

Të dyshuarit janë pjesë e komunitetit të madh kinez që jeton në qytetin e afërt të Pratos, ku shumica punojnë në industrinë tekstile.

Gjatë bastisjes në punishtet sekrete, policia sekuestroi një sasi të madhe të materialeve të papërpunuara për prodhimin e monedhave bimetalike, dy presa industriale, një makinë montimi dhe një makinë speciale për krijimin e brazdave në skajet e monedhave.

Sipas të dhënave të publikuara nga revista Focus, monedhat e falsifikuara prej dy eurosh janë bindshëm më të zakonshmet mes monedhave të rreme të valutës së përbashkët evropiane dhe përbëjnë deri në 96 për qind të të gjitha monedhave të falsifikuara të sekuestruara. Pas tyre, kriminelët më së shpeshti falsifikojnë monedhat prej një euro dhe 50 centësh.

Kategoritë
BotaLajme