Aksident me fatalitet në Zvicër, humb jetën 16-vjeçari nga Kosova dhe një zviceran

Një aksident fatal ndodhi sot në Wohlen, AG, Zvicër.

Një adoleshent 16-vjeçar humbi kontrollin mbi një veturë të tipit Mercedes në një zonë me shpejtësi të kufizuar 30 km/orë, goditi një pemë dhe më pas u përplas me murin e një shtëpie.

Dy të rinj humbën jetën, ndërsa një i tretë u lënduar rëndë dhe u dërgua në spital.

Aksidenti ndodhi pak para orës 5 të mëngjesit në Bankweg, një rrugë e ngushtë në lagje, transmeton Telegrafi.

Në timon ishte një 16-vjeçar nga Kosova, i cili nuk kishte leje drejtimi, shkruajnë mediat.

Sipas gjetjeve fillestare, Mercedesi, që i përkiste vëllait të tij, doli nga rruga, përshkoi një kopsht, rrëzoi një pemë dhe më pas u përplas në hyrjen e një shtëpie.

Shoferi dhe bashkëudhëtari i tij 19-vjeçar, shtetas zviceran, u gjetën pa shenja jete brenda veturës, ndërsa ndihma arriti me vonesë.

Pasagjeri 19-vjeçar në ulësen e pasme, burrë nga Cyrihu, pësoi lëndime të rënda, por u shpëtua nga zjarrfikësit që intervenuan në vendngjarje.

Shkaku i aksidentit ende nuk është i qartë. Sipas policisë, dëshmitë tregojnë për një shpejtësi jashtëzakonisht të lartë.

Zyra e prokurorit publik ka nisur një hetim dhe ka urdhëruar analizat e gjakut dhe urinës. Gjithashtu, hetimet po fokusohen edhe në mënyrën se si i mituri mori çelësat e veturës. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi