Klubi skocez i ligës së parë Kilmarnock shpalli, e më pas u detyrua ta fshijë, nënshkrimin e kontratës me futbollisten e re Skye Stout, për shkak të fyerjeve që ajo mori.
Klubi i futbollit për femra nga elita e futbollit skocez e promovoi futbollisten 16-vjeçare nga ekipi junior në ekipin e parë.
Stout nënshkroi kontratën më të rëndësishme në jetën e saj deri tani, duke realizuar ëndrrat si një futbolliste e re dhe e talentuar, por në vend që të festonte, ajo përjetoi momentet më të vështira të jetës.
Ajo u detyrua të përballonte talljet e tifozëve që nisën ta poshtëronin për shkak të akneve në fytyrë. Situata eskaloi aq shumë sa që klubi u detyrua të fshinte të gjitha postimet ku përmendej emri i saj, për të ndalur ngacmimet nga hejterët. Edhe më keq, Stout u detyrua të fshinte të gjitha profilet e saj në rrjetet sociale për shkak të komenteve dhe mesazheve që mori.
Për fat të mirë, njerëzit e arsyeshëm u rreshtuan në krah të futbollistes së re, e cila mori mbështetje të madhe nga opinioni publik i futbollit britanik, nga faqet e njohura si edhe nga klubet e futbollit, si nga Anglia ashtu edhe nga Skocia.