Afati i Kushtetueses për Kuvend po i afrohet fundit, periudha vijuese me paqartësi

As në përpjekjen e 43-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga regjia t’ua ndërpresë fjalën tre deputetëve: Ariana Musliu të PDK-së, Besian Mustafës të LDK-së dhe Time Kadrijajt të AKK-së.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi tha: “Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emër të përgjegjësisë ndaj qytetarëve që na kanë votuar, ju ftoj, i nderuar kryesues, që ta ushtroni detyrën tuaj pa anshmëri, me integritet…”.

Fjala iu ndal shpejt.

“Regjia le t’ia ndalë mikrofonin, ju lutem”, porositi Dehari.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, kërkoi kthim në kornizën kushtetuese.

“Kthehuni në kornizën kushtetuese. Ta tejkalojmë këtë shou, këtë cirk politik”, tha Mustafa.

Edhe atij, Dehari ia ndali fjalën me shpejtësi.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ironizoi sërish duke e propozuar Albin Kurtin për
anëtar të komisionit për votim të fshehtë.
Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 9 korrik.

Edhe më tej nuk ka pajtueshmëri midis Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera në anën tjetër, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që obligon deputetët të konstituojnë Kuvendin brenda 30
ditësh po i afrohet fundit të këtij afati.
Duket se periudha vijuese do të jetë me paqartësi.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi