Administrata e Trump-it kritikoi Dodikun: “Sulmet në rritje ndaj rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës”

Në raportin për gjendjen e të drejtave të njeriut për vitin 2024, të publikuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), përmendet edhe Bosnja dhe Hercegovina (BeH). Siç është theksuar, sulmet e presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, kanë minuar rendin kushtetues të BeH-së. Sipas raportit, autoritetet në entitetin RS kanë ndërmarrë veprime të vazhdueshme që kanë rrezikuar ndjeshëm institucionet kombëtare, kanë rritur tensionet ndëretnike dhe kanë kufizuar lirinë e shprehjes.

“Sulmet verbale dhe ligjore në rritje nga presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, kanë minuar rendin kushtetues të vendit, ndërsa retorika përçarëse dhe provokuese e udhëheqësve të Republikës Sërpska ka kontribuar në rritjen e tensioneve politike dhe etnike në mbarë vendin”, thuhet në raportin e publikuar më 12 gusht, të cilin e transmeton Detektor.

Raportet vjetore mbi gjendjen e të drejtave të njeriut, të cilat publikohen nga SHBA, mbulojnë statusin e të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht dhe të drejtave të punëtorëve në gati 200 vende në mbarë botën.

Sipas vlerësimit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, problemet e rëndësishme me të drejtat e njeriut në BeH përfshijnë kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së mediave.

Këtu përfshihen dhuna dhe kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve, si dhe prania e konsiderueshme e formave më të rënda të punës së fëmijëve.

Raporti, në pjesën që i referohet Bosnjës dhe Hercegovinës, thekson gjithashtu se Qeveria nuk ka ndërmarrë hapa bindës për identifikimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut.

Kategoritë
BotaLajme