Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku doli me propozimin për krijimin e qeverisë së tranzicionit. Këtë qëndrim e paraqiti në konferencë për media pasdite, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku theksoi se nuk bëhet fjalë për pozita apo ndarje pushteti, por për parime dhe përgjegjësi të përbashkët në funksion të shpëtimit të vendit.
Siç tha ai, partia e parë nuk po shfaq vullnet për zgjidhje, përkundrazi po mban një qasje bllokuese, andaj vendi ka nevojë për unitet të spektrit politik.
“Siç jeni njoftuar edhe nga ne nga unë kam marr një letër nga Albin Kurti dhe i nxitur nga konsiderata e votuesit kam ndier nevojë që pas konsultimeve t’i përsëris qëndrimet tona. LDK në zgjedhjet e përgjithshme ka garuar me qëndrime të qarta. Sot është krizë e thellë institucionale dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK e sheh të domosdoshme. LDK propozon nisjen e një procesi të ri politik dhe kjo zgjidhje kërkon vetëdije të lartë. LDK propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë politike, kërkon unitet gjithëshqiptar dhe formimin e qeverisë tranzicionale. Për këtë si kryetar jam i gatshëm të takohem me të gjitha partitë politike dhe ftoj edhe Kurtin dhe liderët e tjerë.
Po flasim për një gjendje të krizës. Na duhet një qeveri kombëtare e tranzicionit, pjesë e së cilës jemi të gjithë partitë politike. Nuk shoh arsye të kem takim me Kurtin. Jam i gatshëm të takohem me të gjitha partite politike. Uniteti i shërben edhe emancipimit shoqëror, por edhe jep orientim të mbarë të Kosovës. Unë kam përcjell një letër tani dhe kam shfaqur pozicionet e LDK-së.
Nuk kemi komunikim tjetër. Letra e djeshme është trajtuar me seriozitet. Po kthehemi me përgjigje me letër dhe i ofrojmë të gjithë partive të jenë pjesë e momentumit.
Kuptoni që jemi në krizë dhe partia e parë nuk ka tendencë për zgjidhje, por ka tendencë bllokuese. Takimet duhet të jenë të përbashkëta. Të jemi të gjithë për ato pak muaj dhe të rikthejmë demokracinë. Nuk po flasim për pozicione, por për parime për të shpëtuar vendin. Kërkojmë unitet”, tha Abdixhiku.